spot_img

„ KOSOVA REPUBLIK!“

Shkruan.

Imer Xhemail Lladrovci 

Më 11 mars 1981 studentët e Universitetit të Prishtinës organizuan një protestë politike që në vetëvete përbën embrionin e ngjarjes më të madhe kombëtare, të kryengritjes shqiptare kundër pushtuesëve jugosllavë. Në rreth 80 vjet të sundimit serbo-jugosllav, ngjarjet që fillojnë me demonstratat e pranverës së vitit 1981 përbëjnë momentin më të rëndësishëm politik të popullit shqiptar jashtë kufijve londinez të Shqipërisë.

Më 11 mars 1981 demonstruan studentët për përmirësimin e kushteve të tyre të jetesës, dmth. një demonstratë politike me kërkesa minimale, por ky ishte vetëm fillimi. Që  në demonstratën e ardhshme, shumëherë më të madhe dhe thellësisht politike, në atë të 26 marsit 1981, ditën kur stafeta e Titos kishte arritur në Prishtinë, pjesëmarrësit e demonstratës jo vetëm që do të jenë shumëfishuar si numër, por në to do të marrin pjesë edhe punëtorët e qytetarët e tjerë, duke i dhënë kështu asaj karakter të vërtetë popullor kundërjugosllav, përderisa shqiptarët në vend se të rradhiteshin me ata që kishin dalë për ta pritur stafetën po demonstronin kundër asaj politike që me aktivitete të tilla si stafeta e Titos përpiqeshin të mashtronin shqiptarët dhe botën për gjoja  jetën në harmoni të popujve të Jugosllavisë në shtetin e Titos.

Në demonstratat në vijim do të shihet se ishte ngritur i madh e i vogël për të protestuar kundër trajtimit të shqiptarëve në Jugosllavi si qytetarë të dorës së dytë. Në pak javë nga një demonstratë ekskluzivisht studentore kishte lindur një lëvizje gjithëpopullore që kishte shpallur programin e saj politik me kërkesën Kosova Republikë. 

Ky shpërthim spontan i revoltës tregonte se në zemrën e  popullit prej kohësh vlonte mllefi kundër politikave serbo-jugosllave që synonin tjetërsimin e vullnetit politik shqiptar dhe asimilimin e tij gradual. Pjesëmarrja e gjerë në demonstrata tregonte gjithashtu se shqiptarët ishin të vetëdijshëm se kishin hyrë në fazën   finale të ndeshjes me serbët, me një armik që në vazhdimësi kishte punuar për  zhdukjen e tyre përmes dëbimit të tyre masiv në Turqi apo përmes inskenimit të konflikteve të armatosura në shkallë të gjerë. Aksioni i mbledhjes së armëve i vitit 1956 përbën një provokim të rëndë ndaj popullsisë shqiptare.

Demonstratat e vitit 1981  nuk ishin demonstratat e para në Kosovë gjatë sundimit të Jugosllavisë së Titos, demonstrata kishte pasur edhe në vitin 1968, kur ende jetonte Titoja,  por këto ishin demonstratat e para që do të shënonin kthesën e madhe, sepse ato do të  ndiqen nga qindra të tjera për një periudhë kohë pothuajse njëzetvjeçare dhe do të çojnë në intervenimin e NATO-së kundër Jugosllavisë së Zhablakut, dmth. Jugosllavisë së cunguar që përbëhej vetëm nga Serbia dhe Mali i Zi në ndërkohë që republikat e tjera kishin dalë nga federata e dikurshme. Edhe intervenimi i NATO-së është kërkuar në demonstrat e vitit 1998 në Prishtinë. Me një fjalë një popull i ngritur në këmbë, fillimisht  i vetëm përballë një shteti të armatosur deri në dhëmbë do të arrijë të tërheq në luftën e tij të drejtë shtetet më të fuqishme të Perëndimit.

ARTIKUJ TË LIDHUR
- Advertisment -spot_img

U lexua shpesh

- Advertisment -spot_img