Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK)
Për unitetin e forcave politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe mbrojtjen e pozitës kombëtare të shqiptarëve
Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK), themeluese e tri ushtrive çlirimtare dhe udhëheqëse e suksesshme e proceseve çlirimtare, njëkohësisht aleate e aleancës më të fuqishme ushtarake në botë – NATO-s, shpreh shqetësimin e saj të thellë për zhvillimet e fundit politike në Maqedoninë e Veriut.
LPK ka evidentuar zbehjen e dukshme të pozitës së shqiptarëve në këtë shtet, pavarësisht kontributit të tyre jetik në themelimin, stabilitetin dhe zhvillimin e tij. Është e faktuar dhe e dëshmuar se shqiptarët janë garancia e ekzistencës së Maqedonisë së Veriut dhe kontribuues të pakontestueshëm ekonomikë e shoqërorë të shtetit.
Anëtarët e LPK-së, për më shumë se dy dekada, kanë përcjellë me brengosje zhvillimet politike që tregojnë një mohim sistematik të të drejtave të shqiptarëve nga strukturat sllavomaqedonase.
Në këtë situatë, LPK thekson se vetëm përmes bashkërenditjes dhe unifikimit të forcave politike shqiptare mund të mbrohen dhe avancohen të drejtat kombëtare e qytetare. Vetëm të bashkuar mund t’i realizojmë aspiratat e trashëguara demokratike e paqësore, dhe të sigurojmë përfaqësim të barabartë në udhëheqjen shtetërore.
LPK u bën thirrje të gjitha partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut që të marrin urgjentisht vendime të forta për pastrimin e radhëve nga keqpërdoruesit, të korruptuarit dhe manipuluesit. Vetëm përmes këtij procesi do të mund të krijohet besim i ndërsjellë dhe të përgatitet terreni për një front të përbashkët politik që do të forcojë pozitën e shqiptarëve në të gjitha institucionet e shtetit.
Me forca të përbashkëta do të mund, të zhvillohet ekonomia të rritet cilësia e jetës dhe të ndalet migrimi i shqiptarëve. Në të kundërtën, dështimi i vazhdueshëm do të ketë pasoja të rënda politike dhe historike, për të cilat përgjegjësia bie aty ku duhet.
Lavdi të rënëve për liri!
Rroftë populli shqiptar i fortë dhe i bashkuar!
Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK)
Prishtinë, 05 tetor 2025