spot_img

Falënderojmë kryetarin e Komitetit Antifashist të Shqipërisë, Enver Hoxhën, për gjithë çka populli shqiptar dhe ai i Beratit bëri për hebrenjtë gjatë luftës”.

PO ATJE KA BERAT?”

Duke u përpjekur të deshifrojmë një frazë të shkurtër që përmban letra e Kujtim Cakranit, ky mund t’ia ketë dalë në ato rrethana të vështira të nxjerrë nga Berati dhe t’i fshehë nëpër çifliqet e familjes së vet të pasur mbase edhe 40 apo 50 hebrenj. Një pjesë tjetër, edhe ajo numerikisht e vogël, për t’u mbrojtur nga nazi-gjermanët, shkoi drejt fshatrave të thellë, ku më dyerhapuri qe Molishti. Kështu shumica e çifutëve, sepse ndiheshin të sigurt, mbeti në qytet. Kjo masë duhet të kenë qenë disa qindra, dy apo tre të tilla. Berati mbeti “kryeqyteti” dhe streha e tyre e shpëtimit. Në pak muaj prestigji i qytetit me besë ndaj hebrenjve u bë mit. Kur ndodhte që në kërkim të një vendi më të sigurt, edhe jashtë qytetit, në fshatra malorë, ndonjë familje çifute ishte e shtrënguar të shpërngulej fshehurazi, pyetja e parë që bënin për strehën e re ishte “Po atje ka Berat?” Duhet thënë se ky mision shpëtimi i marrë nga beratasit s’ishte gjë e thjeshtë. Qe i rrezikshëm dhe paguhej me kokë. Në qytet ishin vendosur pothuaj dyqind ushtarë dhe oficerë të Wermachtit dhe bashkë me Urën Vajgurore dhe zonën naftënxjerrëse të Kuçovës, ushtria arrinte numrin e frikshëm të pesëqindtëve. Zotëronin tanke të vegjël si edhe dy mezatarë, që ecnin shpejt dhe mund të gjendeshin, bashkë me motoçikletat me kosh e mbi të një mitroloz trikëmbësh, shumë shpejt para portës së shtëpisë.

Ka edhe mjaft dëshmi të tjera. Në kumtesën e tij dhjetë mote më parë Arshin Xhezo, shkruante se “Dy makina gjermane parkonin çdo natë pranë Xhamisë së Sahatit të lagjes. Hebrenjë tek ne, hebrenjë një portë më poshtë, tek Avdullah Zaganjori. Avdullah Shkodrani njihej në Berat shoferi i një makine të bukur italiane”. Xhezo tha më tej: “Hebrenj tek porta përballë sonës, tek Hysen Nallbani, nallbani i mirë dhe hokatar që kishte zakon të hante gotën pasi pinte raki”. Në vijim: “Hebrenj fare pak më poshtë rrugicës sonë, tek Isuf Qolja, tregtar ushqimesh tek “Mulliri i Zakes”, tek Ura e Goricës. Kur Isufi kalonte para portave tona, e kuptonim menjëherë: trokiste paterica, sepse mbante protezë në njërën këmbë”. Më pas Xhezo shkruan se kur mbaroi lufta Jahovi, hebreu që strehoi, i solli që nga vendi i vet një protezë të mirë. Për kaq shumë familje çifute të strehuara në fqinjët e tjerë përreth shkruan Arshin Xhezo sa të krijohet përshtypja se vetëm në pak qindra metra katrorë të një pjesë të lagjes “Murat Çelepi” gjatë periudhës gjermane të pushtimit janë sistemuar fshehurisht të paktën pesëdhjetë prej tyre. Xhezo do të tregonte se në shtëpinë e tyre një ditë papritur (në dy nga dhomat e saj, me hyrje nga brenda, ndodheshin dy familje hebreje me 7 persona), erdhën tre gjermanë me automatikë në krahë. Hynë në portën e madhe pa trokitur, kaluan mes për mes bahçes dhe pastaj drejtpërsëdrejti në dhomën e ndenjes. Ishte një shqiptar që bënte përkthyesin. Kërkuan mos kishin persona të fshehur dhe kontrolluan skaj më skaj. Nuk gjetën, por kur u larguan hebrenjtë e strukur në një qoshe tjetër të banesës, ishin bërë në fytyrë të bardhë si kartë e hollë. Qenë trembur edhe më parë, kur dy tanke gjermane kishin ardhur nga Parku (lulishtja) pranë, patën dalë prapa Xhamisë së Sahatit, por më pas qenë hedhur në rrugën automobilistike duke ikur. E motra e madhe e Arshinit, atë kohë pothuaj nëntë vjeçe por me kujtesë shumë të fortë, tek e takuam këto ditë ta pyesim për strehimin e fshehtë të dy familjeve hebreje, pohon historinë e një jugosllaveje, që ndodhi në drekë të asaj dite, kur në mesnatë në portën e tyre trokitën, të shoqëruar prej një veprimtari të rezistencës ilegale në lagjes, 7 çifutët, gra, burra dhe fëmijë. Jugosllavja qe një zeshkane e gjatë dhe shumë e bukur, me fytyrën e gjakosur dhe lakuriq. Mbante një pallto të madhe, e cila i hapej ndërsa mjaft e frikësuar trokiste nëpër portat e shtëpive që të merrej në mbrojtje. Thoshte vetëm “Jugosllavia, Jugosllavia”. Gjuhën e saj nuk e merrnin dot vesh dhe e zonja e familjes Xhezo e mori dhe e futi në shtëpi, ku bëri banjë, u vesh dhe nisi të hante. Ashtu, në gjendje njerëzore normale, edhe pse me një ndjenjë turpi që i dukej në fytyrë, u bë edhe më e hijshme.

Emine Xhezo na tregoi edhe një detaj të panjohur: përballë shtëpisë së tyre, në rrugë, ishin vazhdimisht dy kuzhina të lëvizshme ushtarake dhe pesë gjermanë përgatitnin ushqim për njësitë në terren. Kur mbaronin gatimin dhe intendentët e tërhiqnin, ata të pestë, pasi hipnin mbi trupin e njërës kuzhinë, vinin këmbën në murin e shtëpisë së madhe dy katëshe Xhezo dhe zbrisnin në oborr duke rrëshqitur nëpër trungun e një mani. Rehatoheshin rreth çezmës, ku edhe pushonin, madje edhe duke bërë ndonjë dremitje. Kjo zgjaste dy-tri orë. Më pas ata kapeshin pas trungut të manit, arrinin buzën e lartë të murit, hidheshin tek kuzhina metalike dhe zbrisnin në tokë. E gjithë kjo ndodhte kur në banesë qenë të fshehur shtatë hebrenj. Emineja tregon se kur rrinin brenda oborrit dhe shtriqeshin për t’u shlodhur asnjëri nga gjermanët nuk e kthente kokën nga shtëpia, në mos për të diktuar çifutët, të kundronin femrat e shtëpisë.

SPIUNIA ÇIFUTE M.

Historia e shpëtimit të hebrenjve në Berat, do të plotësohet me detaje të tjera dhe në qytet patjetër me shenjat përkatëse për ta bërë më të dukshme këtë kontribut jo aq për turistët e huaj sa për vetë historinë kombëtare. U përpoqëm t’i shtonim kësaj hijeshie sjelljeje humane të beratasve ndonjë fakt të ri si kontributi i familjes mallakastriote Cakrani, le të pohojmë edhe një të dhënë që autori i këtyre radhëve e ka siguruar në fillim të viteve shtatëdhjetë të shekullit të shkuar: në qytet ka vepruar edhe një informatore çifute e italianëve, e cila spiunonte bazat e rezistencës kundër pushtimit dhe ia kishte dalë të kallëzonte, bashkë me agjentë të tjerë, praninë e 39 hebrenjve. Por kuestura italiane në Berat nuk veproi për t’i internuar. Pas kapitullimit të italianëve informatorja M. iu dorëzua gjermanëve dhe vijoi shërbimin e saj të mëparshëm. Mister përse edhe për sa kohë nazistët qenë në Berat, kurrkush prej hebrenjve nuk u kallëzua për t’u dërguar në kampet e shfarosjes. Ja edhe një hollësi e fundit: studiuesja Marela Guga ka nxjerrë në pah, krahas mjaft rasteve që çifutë janë bashkuar me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe kanë luftuar nazistët, edhe këtë fakt: “Hebrenjtë e Beratit, më 22 tetor 1944, në emër të gjithë hebrenjve që ndodheshin në Shqipëri, shpreheshin: “Falënderojmë kryetarin e Komitetit Antifashist të Shqipërisë, Enver Hoxhën, për gjithë çka populli shqiptar dhe ai i Beratit bëri për hebrenjtë gjatë luftës”.

ARTIKUJ TË LIDHUR
- Advertisment -spot_img

U lexua shpesh

- Advertisment -spot_img