spot_img

Epopeja e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e Jasharajve në Prekaz

Imer  Xhemail Lladrovci

1.

Në fund të dhjetëvjeçarit të shekullit të kaluar, trysnia e shtetit serb mbi shqiptarët po rritej vazhdimisht. Kosova ngadalë, por sigurt po rrëshqiste drejt luftës. Në këtë rendje të çmendur drejt rrëmujës së madhe ishte pothuajse e pamundshme të ndryshohej kahu i historisë. Jo pse shqiptarët e donin luftën, por pse atyre ajo iu imponohej. Në këtë kohë u  bë  e qartë për këdo se liri të Kosovës nuk do të kishte pa luftë. Edhe shqiptarët kishin pasur iluzionet e tyre kur kishin dashur ta ndryshonin botën me idenë e paqës. Megjithatë, historia na mësonte se kurrë nuk kishte ndodhur asnjëherë që një pushtues të tërhiqej nga territori i pushtuar pa luftë. Por, siç shkruante filozofi gjerman Georg Friedrich Hegel se historia na mëson se njerëzit e shpërfillin atë, nuk duan të mësojnë nga ajo. Raportet serbo-shqiptare kishin qenë që në krye të herës tipike: pushtues- i pushtuar. Kishin qenë dhe kishin mbetur të tilla. Presidenti serb Sllobodan Millosheviq (Slobodan Milošević) nuk rezononte si një burrështetas që ofron zgjidhje për problemet politike, por si një politikan që  e di që zgjedhësi serb do ta ndëshkonte me votë çdo zbutje të kursit politik ndaj shqiptarëve, sepse dihej që problemit të Kosovës i kishte dhënë formë pikërisht politika e tij e pakomromis. Në fillim të karrierës së tij politike, ai kishte besuar se me forcë do të mund t‘i zgjidhte të gjitha problemet, tani në fazën e fundit të jetës së tij politike po e shihte se forca e tij nuk mjaftonte për ndryshimin e ëndërruar, sado që ai kishte realizuar pjesën më të madhe të asaj që kishte premtuar, por fitorja e tij ishte një fitore e Pirros dhe këtë gjë ai e dinte mirë, por  ishte tepër vonë për pendim, kështu që ai gjithçka do të investonte në ndëshkimin e shqiptarëve, dmth. në dëbimin masiv të tyre, duke realizuar për një kohë të shkurtër ëndrrën e shovinizmit serb për Kosovën porhuajse pa shqiptarë. 

2.

Dihej nga të gjithë se Serbia e kishte marrë me luftë Kosovën në vitin 1913. Me përjashtim të propagandës serbe që e ushqente masën me iluzionin se një mobilizim i madh i serbëve mund ta ruante këtë krahinë brenda kufijve të shtetit serb. Dhe pa luftë Serbia  nuk ishte e disponuar tua dorëzonte Kosovën  shqiptarëve. Me forcë do ta mbajmë Kosovën si izraelitët Palestinën, bërtiste shkrimtari dhe ideologu i nacionalizmit serb, Dobrica Qosiq (Dobrica Ćosić). Propaganda serbe nuk kishte pushuar për më shumë se një shekull të fliste për idenë e Kosovës si Jerusalemin serb, kurse shqiptarët, në vetëmbrojtje të ekzistencës së tyre të zhveshur fizike, nuk kishin asnjë mundësi reale  për ta shmangur katastrofën, sepse serbët u kërkonin atyre hiq më pak se të dorëzoheshin, nëse donin të mbijetonin fizikisht. Por, cili shqiptar do ta pranonte një fat të tillë të robit! Shqiptarët thjesht donin që kjo luftë që po përgatitej të ishte një luftë dhe jo një masakër, siç projektohej në zyrat e shtetit serb. Zbulimi i operacionit „Patkoi“ e vërtetonte katërcipërisht këtë drojë shqiptare. „Patkoi“ nuk ishte një ide fikse që e prodhon frika e madhe dhe as obsesion patologjik. Ai nuk ishte asgjë  tjetër veçse një formë ushtarake operacionale e elaborateve serbe për zhdukjen e shqiptarëve. Serbët askund në hapësirën e ish Jugosllavisë nuk kishin qenë në gjendje të luftonin me formacione të organizuara ushtarake, por vetëm me popullsinë civile të paarmatosur. 

3.

Ekzistojnë dëshmi të shkruara serbe, shqiptare dhe ndërkombëtare për luftën kundër shqiptarëve në fillim të shekullit XX, kështu që kushdo që do të donte të informohej objektivisht, kishte material të mjaftueshëm për  rrjedhat e luftërave ballkanike në vigjilje të Luftës së Parë Botërore ku lufta kundër shqiptarëve  përbënte një element qenësor. Mjafton të kujtojmë shkrimet e serbëve Dimitrije Tucoviq (Dimitrije Tucović) dhe Kosta Novakoviq ( Kosta Novaković), raportet për Vatikanin të kryeipeshkvit shqiptar të Shkupit e Prizrenit, imzot Lazër Mjeda, pastaj librat e austriakut Leo Frojndlih (Leo Freundlich) „ Golgota shqiptare“ që bazohet në raportet e Lazër Mjedës dhe artikujt  e gazetarit rus  Leo Trocki (Leo Trotzki) që u botuan fillimisht  në gazetën ruse „ Kijewskaja mysl“ (Киевская мысль) dhe që më vonë  në trajtë të librit me titullin domethënës „Luftërat ballkanike“. Në fund të shekullit XX ekzistonin konstelacione të tjera në Ballkan, në Europë dhe në botë. Serbët e dinin këtë gjë. Madje në zyrat më të larta të shtetit të tyre ky realitet njihej, mirëpo nuk ekzistonte vullneti politik për një zgjidhje paqësore. Sipas ish ministrit të jashtëm të Jugosllavisë, shkrimtarit Vuk Drashkoviq (Vuk Drašković) presidenti serb Sllobodan Millosheviq e shikonte Kosovën si një gur mulliri në qafën e Serbisë, ndaj dhe bënte një politikë vetëvrasëse të luftës me shqiptarët, në mënyrë që të lirohej nga ky problem dhe ithtarët e tij të mos e hetonin tradhëtinë. Kjo paraqitje e politikës serbe të kohës gjen shpjegim të shkëlqyer në aktet e terrorit shqiptar në Likoshan, Çirez dhe,  në mars, në Prekazin e Jasharajve legjendar. Në Likoshan e Çirez serbët masakruan civlët shqiptarë, kurse në Prekaz policia serbe, që ishte më shumë se polici, hasi në rezistencë të madhe të familjes Jashari dhe të banorëve të tjerë të fshatit. Edhe këtu serbët kryen masakra mbi fëmijë, gra, pleq, e civilë, por këtu u luftua edhe si UÇK.

4.

Po bëhej thuajse një shekull i tërë që kur Kosova ishte vënë nën sundimin e fqinjit të saj të veriut. Serbët,  pas dështimit të daljes në Adriatik përmes Bosnjes, siç na dëshmon në librin e tij filozofi i ri serb Aleksandar Pavlović („Imaginarni Albanac : Simbolika Kosova i figura albanca u srpskoj kulturi“) „Shqiptari imagjinar: Simbolika e Kosovës dhe figura e shqiptarit në kulturën serbe“, daljen në Adriatik po përpiqeshin ta realizonin përmes tokave shqiptare në veri e në verlindje të Shqipërisë së atëhershme etnike. Në shekullin XIX u krijua miti i Betejës së Kosovës dhe miti i serbëve që ishin asimiluar përmes fesë islame në shqiptarë: të të ashtuquajturëve arnautashë. Sipas Beogradit politik, shqiptarët nuk e dinin se ishin serbë që flisnin shqip, ndaj dhe  toka që e banonin nuk i takonte Shqipërisë, por shtetit serb që tashmë ekzistonte dhe kishte krijuar një mbështetje të madhe jo vetëm në Rusi, e cila kishte nevojë të madhe për Serbinë për politikën  e saj ballkanike, por edhe në Europë ku kishte që prej kryengritjeve serbe një simpati të madhe për luftën e tyre kundër Turqisë. Këtë opinion të favorshëm elita politike dhe kulturore serbe donte ta përdorte  për ekspansion territorial të shtetit të ri serb. Miti,  gjithmonë në bërthamën e tij, ka një të vërtetë që zbërthehet e fragmentarizohet në shërbim të një politike të caktuar. Dhe pikërisht kjo po ndodhte në rastin serb. E vërteta është se ka pasur një popullsi sllave që është shkrirë në popullsinë vendëse, mirëpo kjo ka ndodhur shumë kohë përpara se të vërrshonin ushtritë  osmane si pushtuese në këto anë. Pastaj përmasat e elementit sllav kanë qenë krejt të tjera nga ato që i paraqiste miti: shqiptarët kishin mbetur shqiptarë edhe përkundër bashkëjetesës shekullore dhe interferimit me sllavët e atëhershëm që u dynden,  kështu që propaganda në favor të  ekspansionit politik i fqinjëve të tyre ishte me të vërtetë një paturpësi e madhe. Historia e vërtetë nuk kthehej lehtë në shërbëtore  të politikës. Ajo, historia, fliste në favor të shqiptarëve dhe jo të serbëve. Në studimet e gjenetikës së populacionit, sipas studimeve më të reja, shohim se në genomin serb janë të pranishëm shqiptarët dhe paraardhësit e tyre me rreth 40%, pra shumë më tepër se në genomin shqiptar ku sllavët, jo serbët, janë të pranishëm me 15%. Serbët do të duhej t‘i kërkonin në mesin e tyre ilirët e arbanasët e mesjetës së hershme dhe shqiptarët e asimiluar në serbë pas Krizës Lindore. Miti i tyre politik ishte konstruktuar për nevojat e  politikës ekspansioniste, ngase e vërteta historike kishte qenë krejt ndryshe. Megjithatë, serbët u treguan kokëfortë dhe vazhduan me politikën e tyre kundërshqiptare, e cila arriti deri në brezin tonë. 

5.

Me 28 shkurt 1998 në klubin shqiptar„ 7 shtatori„ të Wuppertal-it u mblodhën shumë mërgimtarë për t‘u informuar për mënyrën sesi ta ndihmonin financiarisht përmes fondit „Vendlindja thërret“ Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë tubim folën, Xhemajl Fetahaj,Sabri Kiçmari dhe Unë. Në atë tubim Xhemajl Fetahaj mori vendimin për t‘u kthyer në Kosovë ku ai do të vritej rreth një vit e  gjysmë më vonë  në Koshare, në fund të majit të vitit 1999, vetëm pak ditë para se nënshkruhej kapitullimi i ushtrisë serbe në Kumanovë dhe ushtritë e vendeve të NATO-së të marrshonin në vendin tonë. Tubimi u mbajt pikërisht në ditën kur serbët kryen masakrën e parë në Likoshan dhe në Qirez. Ne e dinim se po luftohej në Kosovë, por nuk dinim pothuajse asgjë konkretisht.Pas mbarimit të tubimit shkuam të Halim Baraliu në qytetin Schwelm se bashku me disa veprimtarë ku morëm thirrje telefonike nga baci Feh(Fehmi Lladrovci)nga rrethi i Mynhenit (München). Ai na dha një informacion të saktë për atë që kishte ngjarë në Likoshan e Qirez dhe shprehu bindjen se tashmë lufta me serbët kishte filluar dhe nuk do të kishte kthim pas. Duhet shtuar se ai dhe askush tjetër në këtë moment nuk dinte gjë për synimet e politikës serbe, se disa ditë më vonë trupat e armatosur serbë do t’ia mësynin familjes Jashari, për të tretën herë. Gjashtë muaj më vonë ai vetë do të ishte në shënjestër të ushtrisë serbe dhe bashkë me gruan e tij, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, dhe një grup luftëtarësh së brigadës, që e udhëheqte, do të binte në fushën e luftës. 

 6. 

Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës filoi me 5 mars me sulmin serb mbi familjen Jashari dhe zgjati deri me 7 mars të vitit 1998. Adem Jashari nuk ishte një luftëtar i zakontë i UÇK-së. Ai ishte kryekomandanti i saj, që kishte luftuar edhe në Likoshan. Në luftë u përfshi edhe vëllau i tij Hamzë Jashari dhe babai i tij plak, Shaban Jashari, dhe gjithë anëtarët e tjerë, gra e fëmijë. Ata rezistuan disa ditë, por arsenali i tyre i armëve ishte ku e ku më i dobët se i sulmuesëve që jo vetëm ishin të armatosur shumë më mirë, por ishin, edhe nga pikëpamja e numrit, në epërsi të dukshme. Sidoqoftë, familja Jashari nuk kishte ndërmend të dorëzohej. Në një intervistë për BBC-në, pas sulmit të dytë, plaku Shaban Jashari kishte thënë se nuk kemi ku të shkojmë përtej shtëpisë. Qëndresa e familjes qe paralajmëruar, por sikur nuk besonte askush që mund të ndërhynte në atë që do të ndodhte.  Serbët, disa ditë më herët në Likoshan e në Qirezë, kishin treguar se nuk ndaleshin para asnjë krimi, sado i shëmtuar të jetë ai.  Dhe, ne e dimë se ç‘ ndodhi me 5, 6 e 7 mars 1998: një familje e tërë u flijua në altarin e lirisë së kombit. Nga ky rrethim doli e gjallë vetëm Besartë Hamzë Jashari,  që atëbotë ishte një qupëz prej vetëm 11 vjetësh. Ky akt trimëror atdhetar e tronditi  publikun shqiptar. Në vazhdim gjithë Drenica u ngrit në këmbë. Dhe gjithë Kosova u hodh në kryengritje, kurse shqiptarët kudo që ishin u solidarizuan në forma rë ndryshme me familjen Jashari.

Në këtë epope të madhe u vra dhe kryekomandanti Adem Jashari, mirëpo ky  akt i tij guximtar pati jehonë të madhe kombëtare. Kështu filloi kryengritja e jonë 27 vjet më parë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës nga një grup i vogël gueril u kthye në një ushtri të mirëfilltë, një shumëfishim kaq i shpejtë i rradhëve të saj nuk ishte parë askund në botën moderne.

Dhe, vetëm një vit më vonë avionët e NATO-së hodhën bombat e tyre në Beograd dhe në të gjitha qytetet jugosllave, përfshirë këtu edhe  Kosovën ku ishin vepronin 140.000 ushtarë të rregulltë jugosllavë nga Serbia  dhe  Mali i Zi, të cilat ishin të vetmet republika që kishin mbetur në federatën e dikurshme. Përveç këtyre ushtarëve, në Kosovë ishin përshirë edhe mijëra vullnetarë të tjerë në grupet e armatosura, në mesin e tyre edhe shumë mercenarë rusë.

ARTIKUJ TË LIDHUR
- Advertisment -spot_img

U lexua shpesh

- Advertisment -spot_img