spot_img

ËNDËRRA E DEKADAVE

Shkruan: Ahmet Osmani

Eh, Afrim, Afrim
sa shumë ëndrra kishim atëherë me Fadilin
Unë, ti dhe të tjerë
hije të natës, frymë të fshehta
vepronim mes viteve të heshtura
në rrugët e dekadave
kur shpresa digjej si flakë mbi dëborë

Ëndrrat…
I mbartnim mbi supe si shpatulla lirie
i fshehnim në pëshpërima
i ruanim në gurët e rrugëve
tek muret e lagura të qytetit
ku frymonte një ardhmëri e pashkruar

Koha është dredharake
si fjalë që humbet në erë
si borë që shkrin në gishta
Dhe ëndrrat…
Disa mbetën rrugëve
disa u tretën si mjegull
e disa u bënë dritë në sytë e fëmijëve tanë

Eh, Afrim, Afrim
sa shumë ëndrra kishim atëherë me Fadilin
Unë, ti dhe të tjerë
me Fadilin
në errësirën që kërkonte dritën

Më kujtohet…
Ecnim në terr
rrugës për Dragodan
me shpresën për dritë
me ëndrrat e fshehura nën hapat tanë

Por drita atëherë vinte përmes zjarrit
dhe pas pak ditësh
u barikaduat në Breg të Diellit me Fahriun
Në përballje me hienat
dy Shqiponja luftuan deri në frymën e fundit
duke u bërë flakadanë të përjetësisë

Gjaku që u derdh ndër dekada
mbolli agimin e lirisë dhe diellin e bashkimit
Ëndrrat u ngjitën lart si flakadanë
drita s’do të shuhet më kurrë

Por tani…
ajo dritë rri pezull mbi ne
si hëna mbi detin e trazuar
si këngë e këputur në mes
Shpresa endet mes hijesh
në këtë realitet të lodhur nga pritja

Për ne, ëndrrat janë rrugë të vjetra
drita shpesh mbetet një pasqyrë
si të mbijetuar nga lufta e harruar
si ëndrra që kërkon të flasë sërish

Eh, Afrim, Afrim
sa shumë ëndrra kishim atëherë me Fadilin
Unë, ti dhe të tjerë…
Por a do të arrijmë t’i zbulojmë
A do të shohim dritën që e nisëm
apo do të mbesim përsëri hije
në një tjetër ditë të humbur

Por ëndrrat nuk shuhen me hijet
ato ngjiten më lart, si flakadanë që s’fiken
Ju, në altarin e lirisë
ndërsa ne vazhdojmë të kërkojmë rrugë
për të mbajtur gjallë amanetin tuaj
për të ruajtur ëndrrat që lindën mes flakëve të dekadave
dhe për të bërë dritën e tyre të pavdekshme

Në altarin e lirisë
në kujtesën tonë që ngre dritën lart
ajo do të ndriçojë gjithmonë

6 shkurt 2025, Uster
A.O.

ARTIKUJ TË LIDHUR
- Advertisment -spot_img

U lexua shpesh

- Advertisment -spot_img