Shkurt 21, 2025 | 15:04
Shkruan:NATASHA LUSHAJ/ …
Ky libër nuk ka si objekt njohjen, dokumentimin dhe analizën në përgjithësi të historisë së botimeve shqiptare, megjithëse një punim i tillë do të qe dëshmi e rëndësishme për historinë e botimeve të librit artistik në kohën tonë. Ndërhyrja e faktorëve jashtë letërsisë (e interesave të botimit e të marketingut të librit) nuk mbetet edhe ajo jashtë interesimit të studimeve për letërsinë, sidomos në kohën tonë të komunikimit intensiv të ideve e standardizimit të shijeve.
Evidentimi i gjendjes do të ndikonte për kthimin e zbatimit të kritereve shkencore në normë etike dhe profesionale nga ana e botuesve. Megjithatë, në një pjesë të saj, tema jonë merret vetëm me historikun e dukurisë që e ka emrin teksti fals, kur analizon arsyet e qëndrimit joshkencor ndaj tekstit autentik gjatë botimit dhe ribotimit në shqip, në të shkuarën dhe të tashmen, kryesisht gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, deri në vitet e fundit dhe posaçërisht të falsit në letërsi. Dokumentimi dhe analiza e ndërhyrjeve gjatë ribotimit në tekstin letrar, për mendimin tonë, merr rëndësi të veçantë, nisur nga koncepti se letërsia e çdo vendi, në procesin e zhvillimit të saj, formëson një strukturë të caktuar përmbajtësore dhe formale të rrafshit sinkronik.
Evoluimi, transformimi apo rikodimi i kësaj strukture sinkronike nga njëra periudhë në tjetrën, e parë tani në prerjen diakronike krijon imazhin e saj të strukturuar, të pangatërrueshëm dhe origjinal, historinë e letërsisë së çdo vendi. Këtë strukturë e ka ngritur krijimtaria e autorëve të asaj kohe, e pandarë kjo nga profilet biografike e letraro-estetike autoriale, si dhe konteksti historiko-social. Botimi i ripunuar nga autori është dëshmi e evoluimit personal si krijues dhe e drejtë e tij. Variantet tekstore të veprës së ripunuar nga autori në kohë të ndryshme bëjnë jetë të pavarur nga njëra-tjetra. Por ky proces mbyllet kur shkrimtari mbyll sytë. Ka vetëm lexime të reja të veprës. Variantet u interesojnë studiuesve dhe lexuesve të specializuar, nëse shtrohet problemi i autenticitetit të teksteve për përcaktimin e autorësisë së ndryshimeve nga një botim në tjetrin ose studime të natyrave të tjera.
Kjo është arsyeja pse deformimi, mohimi apo falsifikimi i veprës letrare të një kohe të shkuar, nga një dorë tjetër, pra, jo e autorit, do të thotë të luash me historinë dhe vlerat e letërsisë së një vendi. Ndërhyrja postem (dhe jo vetëm) në tekstin autentik është quajtur sakrilegj nga studiuesit e të gjithë kohërave. Rrafshi i ri i interpretimit i ridekodon strukturat ekzistuese të teksteve letrare, duke gjetur në brendësi të tyre çelësa të rinj interpretimi, por vetëm nëse veprat i përmbajnë ato potencialisht. Nga ana tjetër, dokumentimi i ndryshimeve nga një botim te tjetri dhe përcaktimi i arketipit të një vepre letrare nuk i mbyll absolutisht mundësitë e përdorimit të varianteve të tjera dorëshkrimore të autorit për qëllime studimi, psh.: studimi i së fshehtës së mekanizmave dekoduese të strukturimit të njësive gjuhësore e semantike, të cilat formësojnë origjinalitetin e procesit perfeksionues të gjuhës së tekstit në të cilin janë fiksuar mesazhet të saj.
DY “QIEJ” SIPËR KËSHTJELLËS SË KADARESË
… Pas ‘90-ës, mekanizmi i mësipërm (kujdesi shtetëror për qarkullimin dhe propagandimin e librit) nuk funksionoi më dhe të gjithë krijuesit u gjendën para një problemi me të cilin nuk kishte qenë detyra e tyre të merreshin deri atëherë, por që ua kërkonte ligji i ekonomisë së tregut: të siguronin lexuesin, si një nga treguesit e suksesit dhe si domosdoshmëri për më tej. Pikërisht tani për Kadarenë dolën hapur kritikuesit dhe “armiqtë” e vërtetë, jo ata të porositurit. Ata shkonin nga mohimi absolut (barazimi me zero), në damkosjen e autorit dhe veprës së tij si demoniake, oborrtare, vegël e diktaturës etj.. Ndërkaq, analizat e vërteta, mirëfilli shkencore, mungojnë ose janë të pakta; i jepet prioritet vlerësimit të kritikës së huaj (në këtë kohë shumë autorë bëhen të famshëm nga çmime që ua japin juri të vendeve të tjera, pa qenë ende të njohur nga lexuesi shqiptar). Si çdo fushë e jetës në Shqipëri, edhe rendi i hierarkisë letrare u përfshi, më e pakta, nga kaosi.
Nga ana tjetër, edhe në mendimin e kritikës së huaj, që hyn tashmë lirshëm në Shqipëri, ndonjëherë studiuesit shqiptarë gjejnë një lloj pamjaftueshmërie argumentesh ose argumente jobindëse, një lloj moskuptimi, çuditërisht një lloj skematizimi e madje politizimi, një mosrrokje të thelbit të gjërave, për mënyrën e interpretimit të asaj që kishte ndodhur këtu e siç sillej në letërsinë që bën Kadareja. Ndërkaq, në mënyrën se si e servir fytyrën e asaj që kishte ndodhur në Shqipëri, dukej se edhe vetë Kadareja përdor të njëjtin truk me atë të krijimit të miteve: synon t’ia mbushë mendjen kujtdo se letërsia e tij ishte krijuar në kushtet e rrethit të fundit të ferrit të kampit socialist, aq sa këtë e besojnë jo vetëm të huajt, por edhe vetë shqiptarët. Këtë e bën me gjithçka e kudo ku mendon se ndihet nevoja për fjalën dhe imazhin e tij, si personalitet i shquar i Shqipërisë së gjysmës së dytë të shekullit XX dhe i letërsisë së saj.
Adhuruesit e përhershëm, edhe ata u gjendën keq: ose kishin hequr dorë nga të shkruarit në përgjithësi, ose posaçërisht nga të shkruarit për të; ose u vunë në një zë me kritikën e huaj, kryesisht franceze, duke parë në çdo vepër të tij vetën nëntekste disidente e antikomuniste; ose vijuan ta mbronin, por me të njëjtat mjete të analizës, që linte tashmë shumë gjëra mangët. Nga gjithë kjo vinte ndjesia se analiza e mirëfilltë e krijimtarisë së Kadaresë nuk kishte filluar ende seriozisht, me pak përjashtime në formën e sistemimit, katalogimit dhe klasifikimit disaplanësh të arkivit të universit kadarean, ndoshta e vetmja pikë nga do të rinisë konturimi i dimensioneve të kësaj krijimtarie në të ardhmen; seria me trajtime kritiko-estetike e prof. A. Uçit, si dhe një përmbledhje e mendimit kritik të huaj për veprën e Kadaresë. Një studim interesat është libri eseistik i F. Alimanit, në formën e interpretimit të konvergjencave e diferencave stilistike e konceptuale të shprehjes, në strukturimin e sistemit të poetikave të romanit etj., ndërmjet katër gjenive të letërsisë botërore të shekullit XX. Çështjen e ndërlikon botimi i ripunuar i veprës nga vetë Kadareja, ndryshuar jo pak dhe mbi të tjera linja domethëniesh.
Në mënyrë të admirueshme, pa u lodhur, ai e rishqyrton, e rikalon nëpër duar tërë veprën e tij, e risistemon tematikisht, e plotëson dhe e ridimensionon skemën e madhe të simbolikave, figurave dhe nënteksteve të saj. Ribotimet herë bien, herë jo, në dorë të bashkëkohësit bashkëkombës, për shkaqe që dihen (shumica e lexuesve të hershëm do të njohin veç botimet e para të librave të tij dhe vetëm lexuesit rishtarë ose studiuesit e zellshëm e shohin të arsyeshme të ndjekin leximin e veprave të ribotuara), por duket se Kadareja ndërkaq nuk mendon për lexuesin e sotëm, që do të ishte gjithsesi konfuz dhe i sipërfaqshëm. Me këtë punë kolosale, të filluar herët dhe të menduar mirë, Kadare synon të fitojë lexuesin e nesërm. Tashmë trashëgiminë e tij letrare beson se mund t’ia lërë në dorë përfundimisht kohërave që do të vijnë, duke e kryer deri në fund detyrën e krijuesit të madh ndaj universit të vet letrar.
DY VARIANTET E TEKSTIT: Ç’NDODH ME MESAZHIN
Synimi ynë është të argumentojmë pse teksti i një vepre të publikuar më parë (arketip), kur na rivjen përmes një ribotimi me përpunime domethënëse nga dora e autorit, jo vetëm pranohet si tekst autentik, por gjithashtu, nivelet e reja të interpretimit e riformatojnë atë deri në stadin e një neoteksti, që e kemi quajtur neoarketip. Me “përpunime domethënëse” kuptojmë ndryshime që prekin aspektet formale të rrëfimit, qoftë edhe të mikrostrukturës stilistike (të leksikut, fjalisë, frazës brenda kapitullit), të tilla që modifikojnë nivelet kuptimore të mesazhit. Ky lloj botimi duhet konsideruar jo vetëm një variant i ri i titullit në fjalë (neoarketip), por edhe si teksti i vetëm që ka shanse të jetë arketipi përfundimtar i veprës. Në vijim të këtij konceptimi, kemi parasysh ribotimin e pothuaj gjithë korpusit të veprave, të ripunuara nga vetë I. Kadare, pas viteve ‘90, por këtu do të ndalemi për ilustrim në krahasimin e botimeve të dy varianteve të romanit “Kështjella”.
Në një intervistë, duke përmendur titullin e ndryshuar të romanit në botimin frëngjisht, autori ka lënë të kuptohet se kjo më fort ka arsye kazuale (titujt, si çështje marketingu), të jashtme dhe më pak arsye të brendshme, që të lidhen me sistemin dhe domethëniet e poetikës të veprës. Një pjesë e tyre zbulohet në pyetjen e gjatë të A. Boskesë, kur ai përmend romanet e autorëve të shquar me të njëjtin titull, si Buxati apo Kafka. E vërteta është se semantika e togjeve daullet e shiut/kasnecet e shiut, kanë në vetvete shtresime domethëniesh shumë më “të lehta” se fjala “kështjellë”: e rëndë, e gurtë, e heshtur, e frikshme dhe e vetmuar, me një histori mijëravjeçare ngujimesh, vetmimesh, rrethimesh, vetëmohimesh e shfarosjesh, të paktën që nga Troja. Kështjella ka ekzistencën e vet, të njëjtë me atë të një perëndie të vjetër, parazeusiane: është përgjysmë nën tokë e mbi tokë. Forma e pjesës së nëndheshme vetëm mund të imagjinohet (edhe kur siguron një vizatim të saj), pjesa e mbidheshme komunikon me qiellin, thith e para mbi vete bekimin dhe mallkimin e tij. Dhe është e palëvizshme, e pazhbëshme: edhe sikur ta rrafshosh, që nga fundi i dheut historia e saj e përgjakshme lëshon kumte nga ato që do të frikësonin edhe vetë Zeusin (ai i kishte mbyllur në fund të Hadit perënditë e brezit të vjetër, por kujdesej të mos e zgjonte zemërimin e tyre).
Kurse në semantikën e daulles ka një trishtim femëror (një nga përfytyrimet vjen në formën e çadrës së haremit dhe muzikës tipike orientale), është diçka e kalueshme, e përkohshme, të paktën është zë, gati njerëzor, jo shurdhëri e mistershme guri.
VARIANTI TJETËR
Në variantin tjetër të titullit (Kasnecet e shiut), të njëjtin ngjyrim të lajmëtareve (vini re: në femërore!) ka edhe kuptimi tingëllues i kumtit që …në vend që të ta ngulë vështrimin në një pikë të vdekur të masës së stërmadhe të kështjellës (gjithsesi ajo s’mund të rroket me një vështrim). Daullja është gjuhë shenjash që lëviz (mesazh që komunikohet) atje jashtë me emër femëror, qoftë edhe si shqiptim i dënimit me vdekje.[15] Për më tepër, shiu (Daullet e shiut) vjen nga qielli. Pikërisht këtu, te fjala qiell do të ndalemi më gjatë. Sepse qielli sipër Kështjellës së Kadaresë, në vitin 1970, nuk është po ai qiell që rri sipër saj në vitin 2003. Hapësirat tekstore të rrëfimtarëve në të dy nivelet (kështjellari, veta i në intermexot; rrëfimtari i gjithëdijshëm, veta III, në kapitujt), në botimin e 2003-shit kanë pësuar ndryshime kryesisht të rrafshit leksikor, krijime fjalësh të reja (neologjizma) me brumin e shqipes, duke larguar orientalizma, madje edhe oksidentalizma, në emër të një lloj pastrimi dhe “shqiptarizimi” të gjuhës së rrëfimtarëve.
Edhe pse pesë shekujt, që rrinë ndërmjet kohës për të cilën rrëfehet dhe kohës në të cilën rrëfehet, janë risjellë me një distancë epike (që nuk i bën më pak të frikshme enigmat), e sotmja dhe e ardhmja, si perspektiva rrëfimi, gati e determinojnë semantikën e detajeve, zgjedhjet stilistike dhe strukturën psikologjike të personazheve. Në rrafshin ku sinkronizohet koha e shkrimit me kohën e leximit, për pjesët e rrëfimit në vetë të tretë, domethënie kryesore dhe lajtmotiv i veprës është e vërteta historike e shekullit XV e gdhendur në art… Sidoqoftë, kritika përgjithësisht vlerëson se rrafshi përgjithësues i mesazhit kryesor të qëndresës, ngjeshur kryesisht në simbolin e kështjellës, i ka qëndruar kohës më fort për hir të së vërtetës historike të pazhbëshme dhe mesazheve që vijnë prej saj, krahasuar me leximin e mbivendosur të alegorisë, në analogji me vitet ’60-‘80 të shekullit XX në Shqipëri. Në kohë e leximeve të ndryshme, përparësia e njërit lexim ndaj tjetrit nuk është e thënë të ruajë renditjen që paraqitëm këtu. Pikërisht, këtyre leximeve të dyta u ndihmojnë ripunimet e autorit në tekstin e romanit të botimit të vitit 2003, që do ta konsiderojmë “arketipi i mundshëm përfundimtar” dhe më thjesht “neoarketip”, që gjithsesi bën të mundur një lexim të ri, i cili absolutisht nuk mund të realizohej me tekstin e variantit të vitit 1970, siç do ta shohim deri në fund të këtij kapitulli.
NDËRHYRJET
Ndërhyrjet më domethënëse dhe me peshë të veçantë në aspektin formal dhe semantik të veprës, sipas nesh, i gjejmë në hapësirat tekstore të rrëfimtarit-kështjellar, në intermexot. Ishte një mënyrë e re dhe origjinale (të paktën për romanin shqiptar) e ndërthurjes së modelit të romanit klasik me atë modern, madje, intermexo-t viheshin edhe në funksionin ekstraletrar të parapritës për kërkesën problematike të “heroit pozitiv” të socrealizmit, që i hapte punë autorit me kritikën e kohës.
Në debatet për “heroin” ato u përdorën (u interpretuan) si një lloj kompensimi për raportin e paparë deri atëherë të forcës shprehëse ndërmjet figurave të personazheve-njerëz pozitive (Skënderbeu) dhe kryepersonazhit-send (kështjella) në roman, konceptime që sigurisht do ta bënin kritikën e kohës të shprehej me rezerva. Në pjesën më të madhe të intermexo-ve në tekstin e ripunuar, ndërhyrjet, në dukje, redaktojnë thuajse padukshëm elementet formale të leksikut dhe strukturimin e frazës, pa prekur makrotekstin si dhe shtresën e hershme semantike të simbolit të kështjellës, e personifikuar në zërin e rrëfimtarit-kështjellar, i cili unifikon tërësinë e mesazheve në të dyja shkallët e rrëfimit. Ato copëza të ngjeshura e të gdhendura si në bronz, përzishëm e plot dritë njëherësh, aq shumë e kishin trazuar kritikën tonë në kohën kur romani u botua së pari. Ato thoshin shumë, por linin pa thënë akoma më shumë. Të artikuluara atëherë si shqetësim për harmoninë apo ekuilibrin mes të quajturave grupe të personazheve (raporti mes atyre pozitive e negative), rezervat e kritikës shfaqnin vetëm një pjesë të instinktit të rrezikut që vinte nga këto monologje të heshtura me të gjitha kohërat. Pikërisht, pulsi gjithëkohësh i të quajturave “intermexo” mbartte mundësinë për ridimensionim, sepse kuptimi i gjithëkohësisë (universalitetit) në to ishte tepër i gjerë për t’u modeluar një herë e përgjithmonë, me gjithë peshën epokale të fatit tragjik të një kombi në zgrip.
Që në monologjet e variantit të parë gjendej, padyshim, filozofia e zgjedhjes së imponuar të qëndresës në rrethim, përballë nënshtrimit (analogonte me “rrethimin imperialisto-revizionist” të Shqipërisë në v. ‘60-‘70; shumë e lidhën me përgjigjen e Shqipërisë ndaj tij, daljen demonstrative nga Traktati i Varshavës, duke habitur jo pak vëzhguesit e gjeopolitikës), por tashmë, në variantin e dytë, nxirret në pah ajo që në të vërtetë shfaqej minimalisht në tekstin e botimit të parë, siç është pohimi i të përbashkëtave të botës dhe njeriut shqiptar me Perëndimin, kulturën dhe strukturën e tij shpirtërore. Në botimin që kemi në dorë, të vitit 2003, pohimi i mësipërm, i nënkuptuar, kthehet qartësisht në kërkim të kufijve të bashkëjetesës dhe paqes në hapësirë dhe kohë, si filozofi e re e një epoke, ende e mjegullt në kohën e shkrimit të parë të veprës, kur ajo fitoi edhe çmimin e parë në konkursin letrar kushtuar 500-vjetorit të Skënderbeut. Kjo lloj thirrjeje ishte e mjegullt jo vetëm në horizontin pritës të lexuesit shqiptar (1970), por edhe në atë evropian e më gjerë dhe arsyet dihen: ishte kulmi i Luftës së Ftohtë.[19] “Qielli” i kohës së shkrimit në variantin e parë[20] është i identifikuar saktësisht si qiell tipikisht shqiptar me cilësi të shenjuara, së pari, si përmasë hapësinore shqiptare: qielli sipër kështjellës është vazhdim i saj, ka të njëjtën performancë e funksion në strukturën e veprës.
SELEKTIMI INTENCIONAL
Simboli i qëndresës në rrethim nis nga themelet e dheut arbër deri në bedena ku rri kështjellari-rrëfimtar dhe vijon më lart, me malet, prej nga Gjergj Kastrioti derdhet si një rrungajë mbi kampin turk, rrafshon ç’gjen përpara dhe zhduket si me magji; pastaj me qiellin që kështjellari e vrojton për ndonjë re duke u lutur për shi dhe që, në fund, pikërisht si për të pohuar se është pjesë e kësaj toke, aleat i këtyre heronjve në zenitin e lavdisë së tyre, shiu vjen. Sado që në nivelet e thella të domethënieve metaforike të fjalës shi, është naive të përjashtohen edhe kuptimet e tjera të fushës përkatëse semantike [siç janë retë, shenja të kumteve misterioze mistike ose hyjnore, të së mirës ose së keqes, në varësi se ç’kuptim duam t’i japim atij (shiut)], madje, në tekst nuk gjendet as mundësia elementare që ato, retë, të kenë shtegtuar nga qiej të tjerë, joshqiptarë; selektimi intencional i ngjyrimit figurativ të fjalës ngushtohet nga autori bashkë me rrethimin, vetëm shi (shpëtim) për shqiptarët, krijuar në qiell shqiptar ose që vijnë nga malet shqiptare. Por për autorin (dhe për ne) rëndësi ka që edhe në tekstin e botimit të parë shiu ekziston si një nga kodet interpretative, të cilit, madje, i është besuar edhe zgjidhja alegorike e konfliktit. E paqartë gjithsesi: alegori e kujt?, se Zotit i ishte hequr madje edhe e drejta që të shkruhej me shkronjë të madhe, si një identitet më vete. Ndoshta kjo aludohej në atë kohë, kur u tha si nën zë se, kjo zgjidhje, në një farë mënyre ngjante diçka me “deus ex macina”…
Shiu ishte bërë tashmë pjesë (ose çelës hapës-mbyllës) e qëndresës shqiptare në rrethim. Por fjala shiu, ngado ta rrotullosh, është nga ato speciet e lashta të poetikës së gjuhës, që i mbart gjithnjë me vete, të shfaqura apo të fshehura, tërë kuptimet e tjera shumëshekullore që i janë veshur shumë e shumë kohë më parë se lufta ideologjike dhe politike, edhe në lëmin e kulturës dhe letërsisë shqiptare, të bëhej aq e pakuptueshme, siç ndodhi në gjysmën e dytë të shekullit XX. Gjithsesi, nëse shiut duhet t’i gjejmë një referencë në poetikën e gjuhës së botimit të parë, kuptimi i tij alegorik duhet të jetë realizimi i ëndrrës së kthimit, qoftë edhe të përkohshëm, të lirisë. Nga ana tjetër, vijueshmëria natyrore e rënies së tij mbi tokën e Arbrit, ashtu si vonesa e pafat, përbën një gjendje shprese dhe ankthi, njëkohësisht një diferencim të pazhbëshëm me tokat e shkretëtirta nga vjen ardhësi pushtues.
Është një interpretim që duhet të na kujtohet ndërsa lexojmë suazën përmbyllëse të atij botimi: në frazat e fundit të romanit, qielli nuk premton asgjë të mirë, veç rrethime të tjera, luftëra të tjera dhe fatin e paracaktuar të kështjellave tona që të jetojnë në rrethim. Ka një lloj parashikimi të një lëvizjeje apo një zhvendosjeje kuptimore të mundshme, e pranishme në toposin e rrëfimtarit në vetë të parë (kështjellari atje lart, që nga sheh gjithçka – si në qiell) që në tekstin e parë, 1970… *(Fragment nga libri studimor “Aftësia vetëtransformuese e tekstit autentik”)
/Gazeta Panorama