Qenan Hamdiu u lind më 10 prill 1958 në Kumanovë. Studimet e larta i ndoqi në Manastir dhe Ferizaj gjatë viteve ’80. Pas demonstratave të Kosovës në fillim të atyre viteve, për shkak të rrethanave politike, u detyrua të largohej nga vendlindja dhe emigroi në Zvicër, ku u vendos në komunën Birr, në kantonin Aargau.
Është baba i tre fëmijëve të rritur – Shqipërimit, Kosovares dhe Shqiptarit, si dhe babagjysh i katërfishtë, i dy nipave dhe dy mbesave.
Qenan Hamdiu është një veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare shqiptare. Ka marrë pjesë aktive në demonstratat e Kosovës të vitit 1981, si dhe në të gjitha demonstratat dhe aktivitetet kombëtare shqiptare të zhvilluara në Zvicër dhe në diasporë ndër vite. Përveç angazhimit kombëtar, ka kontribuar edhe në aktivitetet fetare e kulturore si në Kosovë, ashtu edhe në Zvicër, duke ruajtur gjithnjë lidhjen shpirtërore me atdheun.
Në fushën profesionale, Hamdiu ka ndjekur specializime teknike në Gjermani për termoturbina të ndryshme. Ai është me profesion inxhinier mekanik dhe supervizor në prodhimin dhe mirëmbajtjen e turbinave për prodhimin e energjisë elektrike, duke përfshirë turbinat me gaz, me avull dhe ato bërthamore (nukleare).
Përvoja jetësore, përkushtimi kombëtar dhe rrugëtimi i tij profesional e njerëzor janë shkrirë në krijimtarinë letrare të autorit. Libri i tij i parë, me titull “Ditari i rrugëtimit që mban vulën e shekullit”, është një dëshmi personale dhe historike e një kohe të mbushur me përpjekje, ideale dhe dashuri për atdheun.

Qenan Hamdiu


