spot_img

Atdheu s‘i harron kurrë kontributet e atdhetarëve

🖊️ Imer Xhemail Lladrovci

Deri më tani kanë folur të tjerët për të, dmth. për Hashim Thaçin. Dhe, dihet, kanë folur shumë. Më së shumti duke përsëritur disa akuza që e nxinin figurën e tij publike. Ngjanin sikur të vinin nga një qendër. Ata që kanë folur, do të flasin edhe më tej, si hafuzë, vetëm se tani çdo gjë e tyre do të vihet në mënyrë eksplicite apo implicite në një relacion me atë që Hashim Thaçi ka thënë për veten e tij në intervistën me Adriatik Kelmendin në „Rubikon“.

Të flasësh, nuk do të thotë se të dëgjojnë. Dhe nëse të dëgjojnë, nuk do të thotë se të besojnë. Fjalët nuk numërohen. Ato peshojnë. Dhe fjalët e Hashim Thaçit në intervistën e tij peshojnë rëndë, ato nuk numërohen, edhepse nuk janë pak, intervista është mjaft e gjatë, sa me një përpunim të vogël do të mund të kthehej në një libër. Mendoj se Thaçi vetë duhet të mendojë seriozisht për këtë mundësi. Përballë thashethemnajës dashakeqëse duhet të qëndrojë një libër që jep përgjegje për çdo aspekt me interes publik për jetën e tij politike. Gëte ( Goethe) i madh thoshte se e vërteta duhet të përsëritet një mijë e njëherë, sepse edhe gënjeshtra përsëritet njëmijë herë. Madje nazisti Gëbels (Goebels) besonte se përmes përsëritjes edhe rrena më e madhe një ditë e fitonte statusin e të vërtetës. Shkrimtari serb, Dobrica Qosiq (Dobrica Ćosić) thoshte se në Serbi rrena është art kombëtar. Këtu vihet re një afri mendësie me Gëbelsin, por këtë paralitet nuk guxonte ta vinte gjithkush në dukje, madje edhe sot ky thelb i njejtë mendimi nuk artikulohet. Një komunist serb prima facie ishte imun ndaj ideve naziste. Ky paragjykim është mbizotërues edhe sot. Edhe fakti që Thaçi sot është në Hagë për shkak të Beogradit politik, këtë ide e shprehin pak njerëz.

Nuk është se nuk diheshin gjërat deri në vitin 2020 kur u burgos Thaçi, nuk mungonin faktet në hapësirën publike, por këto fakte, në përgjithësi e vërteta, për disa ishte shumë e mërzitshme, prozaike. Ajo duhej të fitonte një dimension të ri, farfuritës, në sajë të disa mëlmesave. Supozohet se disa gjëra u shpikën, për t’i dhënë çështjes një lloj shkëlqimi trallisës, për ta zhvendosur atë kështu më lehtë në qendër të vëmendjes së opinionit publik, për ta paralizuar mendimin politik. Duke qenë se Hashim Thaçi ishte personalitet publik që nga vitet 1990, nuk është se publiku ishte i painformuar. Pothuajse gjithçka „dihej“ për të. Dikush kishte gërmuar edhe në gjenealogjinë e tij familjare, sepse duhej të thuhej diçka që ende „nuk dihej“, diçka që „e demaskonte“ atë. Historiografia shqiptare e di që në Malsinë e Madhe ende ekziston fshati Brojë me banorët e tij që i takojnë fisit Thaç. Disi i çuditshëm fakti që edhe në Kosovë ekzistoka një fshat me të njëjtin emër dhe me banorë që mbakan mbiemrin e fisit Thaç. Por sot koha është jo e fakteve, por e postfakteve. Këto fakte prozaike i shpërfillë rrëfimi trallisës që u shpik për gjenealogjinë e ish presidentit. Meqë jemi në këtë temë duhet të themi se Drenica ka një toponimi mbresëlënëse serbe. Madje edhe qendra e saj urbane Skenderaj dikur quhej Serbicë, paçka se aty serbë ishin vetëm policët dhe byrokratët komunalë e familjet e tyre. Hashim Thaçi, kur ishte president, e pati shpallur Shaban Polluzhën hero kombëtar. Hashim Thaçi s’ishte presidenti i parë i Kosovës, por ishte presidenti i parë që u kujtua për ata shqiptarë që u flijuan për kombin e tyre. Hashim Thaçi hero të kombit e shpalli edhe Adem Demaçin, në të cilin sot thirret. Demaçi atij i shërben edhe si model sesi të qëndrojë stoikisht në burg. Nderimi i tij për Demaçin s‘ka qenë kurrë i shpifur. Ai e nderoi atë sa ishte gjallë, e nderon edhe tani, pas vdekjes.

Është e njohur thirrja e Hashim Thaçit në shtator të vitit 2015, plot 10 vjet më parë: „Kush nuk e voton Gjykatën Speciale është armiku i pavarësisë së Kosovës dhe i UÇK-së”. Kjo thirrje u përdor më pas kundër tij. Dhe, pati sukses. Shumëkush besoi se Thaçi e donte një Gjykatë Speciale për të tjerët, jo për veten e tij. Por tani ai është në njërën nga qelitë e Burgut të Hagës, prej nga flet për televizionin Klan Kosova. Ka nga ata që këtë burg e quajnë hotel. Shpifjes e thirrjes për formimin e Gjyaktës Speciale, sot i është shtuar shpifja për burgun-hotel. Burgjet serbe s‘mund të krahasaohen as sot me ato europiane, por burgu kurrëkund në botë nuk është hotel, as në Hagën e Holandës. Shtetet perëndimore kanë bërë jashtëzakonisht shumë për humanizimin e ndëshkimit, por nuk kanë shkuar deri aty që ndëshkimin ta kthejnë në shpërblim. Metafora propagandistike që burgun e kthen në një hotel njihet që nga koha e demonstratave të vitit 1981 kur UDB-ja pati përhapur shpifjen se Ali Lajçi s‘është në burg, por në hotelet e Beogradit.

Në intervistë, Hashim Thaçi nuk merret fare me ato gjëra që janë shpikur, sepse ai e dinte edhe më parë se çdo njeri në sferën publike bëhet objekt spekulimesh dhe, sa më e rëndësishme të jetë puna e tij për bashkësinë, aq më këmbëngulëse është edhe puna e atyre që për interesat e tyre duan të plasojnë një rrëfim tjetër, alternativ, dmth. një rrefim të tyrin në publik për akëcil personin. Të qenit personalitet publik ka njëfarë lidhje misterioze me pëshpëritjen kundër. Kjo mërmërimë e njëanshme te ne është zhurmë mediale agresive e kudogjendshme! Intervista na e jep mundësinë që të dallojmë të vërtetën nga e pavërteta dhe të dallojmë shpifjen nga ajo që s‘është shpifje, pra një mundësi, për ata që duan, për ta dëgjuar edhe palën tjetër. Hashim Thaçi s’ishte i përsosur. Ai bëri edhe gabime, por s’i përsëriti ato kurrë. Ish ushtari i bataljonit „Atlantiku“, Ukë Lushi, thotë se „Hashim Thaçi, si çdo njeri dhe udhëheqës, ka bërë dhe gabime. Por, si njeri dhe si udhëheqës, deri më tash, ai nuk ka bërë gabime strategjike. Për një komb në ngritje e sipër si kombi shqiptar kjo ka rëndësi të madhe.“

Hashim Thaçi me funksionet e tij politike patjetër ishte në një figurë interesante për opinionin publik. Por gjithmonë ka një dallim jo të vogël mes asaj që panë dhe thanë të tjerët për të dhe asaj se si e shihte ai veten. Në perspektivën e vetës së tretë çdo njeri duket ndryshe nga rrëfimi vetanak në vetën e parë njejës. Këtë mundësi nuk mund t‘ia marrim askujt në sferën publike, ndaj dhe as Thaçit. Nuk mund ta kuptoj kurrë prirjen e disave që Thaçi si politikan të trajtohet ndryshe nga të tjerët. Socilogu gjerman Maks Veber (Max Weber) në librin „Politikani“, që ekziston i përkthyer edhe në shqip, tregon se kush është politikani. Thaçi, si edhe politikanët e gjithë botës, veproi në një kontekst të caktuar. Ai nuk bëri gjithmonë atë që deshi e duhej të bënte, por atë që ia impononin rrethanat. Këtë gjë e thotë në intervistë. Ai s‘ndihet as i tradhëtuar, as i braktisur, por i abuzuar. Thaçi besoj e ka kuptuar se në Hagë s‘është vetëm për shkak të senatorit zviceran Dick Marty.

Një gjë që edhe njeriut më të painteresuar i bie në sy është fakti se disa qarqe janë shumë të interesuara që Hashim Thaçi të dënohet nga Tribunali i Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë. A do të ndodh kjo, nuk e dimë, por shenjat janë se po punohet në ethe në këtë drejtim! Dhe për çudi apo ndoshta mosçudi është fakti se në mesin e këtyre njerëzve që e kërkojnë dënimin janë pikërisht ata që dikur kundërshtonin e, edhe sot, shprehen se themelimi i kësaj gjykate ishte një gabim i madh politik. Një njeri normal gjithmonë pyet: pse këta njerëz që janë kundër gjykatës ende formalisht e duan dënimin e Thaçit? Nëse themelimi i Gjykatës ishte i gabuar, del se çdo gjë e saj është e gabuar, dmth. e padrejtë? Këtu ka një kundërthënie të madhe mes asaj që thonë dhe asaj që bëjnë këta njerëz. Ata s‘e kanë thënë kurrë qartësisht pse e duan dënimin e Thaçit?

Hashim Thaçi flet në intervistën e tij për vizitën e fundit në Kosovë te babai i tij i sëmurë, i shtruar në njërën nga klinikat universitare në Prishtinë. Ai ishte shumë i sëmurë dhe pas pak kohe vdiç, por Hashim Thaçin s’e lejuan të merrte pjesë në varrimin e tij. Më vonë u dha një leje për vizitë te varri i tij! Arsyetimet për mosdhënien e lejës për pjesëmarrje në varrimin e të et sado të dhëna tërthorazi s’ishin aspak bindëse. Në intervistë, Thaçi e përshkruan rrugën që kaloi nga aeroporti në klinikë, aty pranë ndodhet dhe rruga me emrin Adem Demaçi. Adem Demaçi ishte i lindur në Prishtinë, edhepse dihej se familja e tij ishte nga Lupçi, por ai vetë ishte prishtinas, sepse kurrë nuk jetoi në një vend tjetër, nëse këtu përjashtojmë burgjet. Para disa kohësh iu ngrit një shtatore në Podujevë. Mesazhi ishte dëshpërues: një njeri që s’i përkiste me asgjë provincës, po i transportohej aty pas vdekjes së tij. Jo, për ta kujtuar, por për ta margjinalizuar! Ai gjatë jetës kishte qenë gjithmonë në qendër, pas vdekjes e dëbuan në periferi të Prishtinës. Një rrugë në dalje të Prishtinës e mbanë emrin e tij. Nuk duhet marrë si rastësor faktin që Thaçi ankohet për faktin e mungesës së një shtatore a busti të Adem Demaçit. Thaçit i bën përshtypje edhe gjendja e flamurit tonë kombëtar te Rrethi. Këto ditë, në Suharekë, u shkel ky flamur, ky harrn. Në mënyrë demonstative. Menjëherë pas intervistës së Thaçit. Askush nuk thotë se këtu ka njëfarë lidhje të fshehtë me atë që thotë Thaçi në intervistën e tij, por duhet të jesh i mangët nga mendja për të mos e parë këtu këtë relacion.

Dikur disa përfitonin jo pak nga pushteti i presidentit Thaçi, ndaj dhe paraqiteshin si dashamirësit më të mëdhenjë të tij. Sot këta njerëz duket sikur i kanë harruar këto të mira. Megjithatë, ka shumë të tjerë që s‘e harrojnë kontributin e tij kombëtar, pavarësisht raporteve me të. Dikur paraqiteshin me lloj-lloj shpifjesh si kundërshtarë të tij, sot luftohen për shkak të tij.

ARTIKUJ TË LIDHUR
- Advertisment -spot_img

U lexua shpesh

- Advertisment -spot_img