spot_img

JETA DHE VEPRA E ANASTASIT NË SHQIPËRI I SHERBEU ME DEVOCION INTERESAVE TE MEGALIIDESË…!


Shkruan: Dashamir Uruçi

Brezi ynë, ai që përjetoi tranzicionin e gjatë e të lodhshëm “demokratik”, është dëshmitar i një nga periudhat më të errëta të historisë moderne shqiptare. Pamë shumë, përjetuam më shumë dhe sërish nuk arritëm të bënim atë që duhej për një popull të varfëruar, të nëpërkëmbur e të keqtrajtuar nga të gjithë – përfshirë edhe bijtë e vet.

Pasuria kombëtare e trashëguar nga sistemi i mëparshëm u vodh në sy të të gjithëve. U shkatërrua struktura ushtarake, u shemb industria dhe çdo gur që kishte vlerë për Shqipërinë, u bë mall tregu për një kastë të vogël politikanësh e biznesmenësh të pangopur. Ata jo vetëm vodhën, por edhe vranë. Dhe për krimet e tyre, askush nuk dha llogari. Ndërkohë, qytetari i zakonshëm u katandis rrugëve me një çek të bardhë në dorë dhe një shpresë të humbur në shpirt.

Në këtë klimë çoroditjeje dhe dobësie të shtetit, armiqtë tanë historikë gjetën terrenin ideal për të vepruar. Në këtë kontekst shfaqet në skenën shqiptare prifti grek Anastas Janullatos – me një mision që shumëkush në Shqipëri e ka perceptuar si më tepër politik se fetar.

Kundërshtimi ndaj tij në fillim ishte i fortë. Besimtarët ortodoksë shqiptarë nuk e pranuan shugurimin e tij në kishë. Por ai u vendos me ngut e forcë në detyrë – jo në kishë, por në një hotel shumëkatësh në qendër të Tiranës. Kjo nuk ishte një zgjedhje e komunitetit ortodoks shqiptar, por një skenar i përgatitur mirë nga qarqe të caktuara greke – dhe i mbështetur nga politika shqiptare.

Kushtetuta e Kishës Ortodokse Autoqefale e ndalon qartë vendosjen e një të huaji në krye të saj. Por kjo u anashkalua. Politika shqiptare – nga Alia e Berisha, te Nano, Rama, Meta e Topi – jo vetëm e toleroi, por e përkrahu aktivisht qëndrimin e tij mbi 30-vjeçar. Ata i dhanë truall për katedrale, dekorata dhe më në fund – edhe shtetësinë shqiptare.

Por çfarë bëri Anastasi në Shqipëri? A e mësoi gjuhën shqipe? A fali ndonjë meshë në gjuhën tonë? Përkundrazi – ai ndërtoi kisha me arkitekturë greke në pika strategjike, mbrojti elementë ekstremistë si Kacifasin, heshti për masakrën serbe në Kosovë dhe në mënyrë sistematike përçoi frymën e “Vorio Epirit” në jug të vendit.

Janullatosi u largua, por ndikimi i tij mbetet. Sinodi dhe administrata që ai formësoi për 35 vite janë aty. Janë njerëzit e tij, të edukuar me idetë dhe direktivat e tij. Prandaj largimi fizik i tij nuk mjafton për të kthyer Kishën drejt misionit të saj të vërtetë – shërbimi ndaj besimit dhe shqiptarëve, jo ndaj planeve ekspansioniste.

Në qendër të Tiranës, në kishën e re, duhet të prehen figurat themeltare të KOASH – të tillë si Fan Noli – jo një hierark i një shteti fqinj që e pa Shqipërinë si një shtrirje të ndikimit të vet.

Historia jonë është e mbushur me shembuj të humbjes së kujtesës kombëtare. Nga zhdukja e varreve të heronjve tanë, te përvetësimi i monumenteve e kishave nga fqinjët tanë – gjithçka është heshtur. Po a do të heshtim sërish?

Shqiptarët duhet të rizgjohen. Të kërkojnë respektimin e autoqefalisë. Të kërkojnë kthimin e Kishës tek shqiptarët. Të kërkojnë kthimin e vetes tek vetvetja.

Quo vadis, Shqipo?

ARTIKUJ TË LIDHUR
- Advertisment -spot_img

U lexua shpesh

- Advertisment -spot_img