Demonstratat e vitit 1981 – Qenani
Përgatitja e demonstratave në Ferizaj, mars-prill 1981Pas ngjarjeve të demonstratave të studentëve më 11 mars 1981 në Prishtinë, situata dhe gjendja politike në ish-Jugosllavi kishte ndryshuar për 180 gradë. Në lajmet ditore të gazetave, televizioneve dhe radiostacioneve të asaj kohe, fjalimet e klikës sllave në ish-Jugosllavi vrisnin e prenin shqiptarët. Komunizmi ishte në kulmin e vet në qeverinë jugosllave. Po ashtu edhe në Kosovë, disa nga komunistët e vjetër, si Fadil Hoxha, Rrahmon Morina e disa të tjerë, kërcënonin shpeshherë rininë studentore shqiptare në Kosovë. Fadil Hoxha, në një intervistë në Radion dhe Televizionin e Prishtinës, duke aluduar te studentët shqiptarë, kishte thënë me mburrje: “Këta që protestojnë nuk janë studentët e Kosovës, por këta janë plehrat e Kosovës.” Prandaj, ata, për t’u fshehur nga regjimi ynë, “vrima e miut do t’i bëhet 300 grosh”.Pas 11 marsit, lëvizjet e policisë serbe sikur u dyfishuan, me patrulla e lëvizje të shumta nëpër rrugët e Ferizajt. Në lokalet e Shkollës së Lartë Teknike në Ferizaj veç kishin filluar vizitat dhe takimet e udbashëve të komunës së Ferizajt me profesorët e shumtë. Sa hynin e dilnin, sikur ngarendnin, caktonin kohën për takime me studentët nëpër sallat ligjëruese. Pjesëmarrja ishte obligative. Gjatë kohës së bisedave mes nesh dhe udbashëve komunistë, shtroheshin pyetje nga më të ndryshmet për ne studentët. Në fillim, udbashët i fillonin bisedat me ne me një ton koxha të butë dhe, sa kalonte koha, aq më të egra bëheshin shprehjet dhe ngritjet e zërit ndaj nesh studentëve me paraqitjet e tyre. Kah fundi na pyesnin me një zë koxha të butë:– Çka mund të na thoni ju tani?– Keni dëgjuar diçka për këto organizime?– Çka mendoni, kush mund të jenë këta organizatorë?– Çfarë kërkojnë organizatorët e protestave me këto protesta?– A keni ndonjë informacion se kush mund të jenë ata?– Apo ndoshta keni pasur ndonjë kontakt direkt apo indirekt me organizatorët?– Ne jemi këtu për t’i diskutuar këto probleme së bashku me ju. Nëse mund të bëjmë ndonjë ndryshim, ta diskutojmë së bashku me ju.– A mund të jenë të dënueshme këto organizime apo veprime të tilla?Asokohe, nëntoka studentore kishte lidhje dhe mirëkuptim për demonstratat e 11 marsit. Ne studentët e Ferizajt ishim në kontakt me studentët e Prishtinës.Forcat policore të ish-Jugosllavisë veç kishin vendosur gjatë ditës nga një, apo diku edhe nga dy policë, të cilët rrinin në afërsi të çdo shtylle elektrike, duke kontrolluar lëvizjet e rinisë dhe studentëve të Ferizajt nëpër rrugët kryesore të qytetit.Forca të shumta të njësive speciale të policisë kishin ardhur nga vise të shumta jugosllave, në ndihmë të forcave policore të Kosovës në Ferizaj.Ne, disa studentë nga Shkolla e Lartë e Makinerisë në Ferizaj, bisedonim për fillimin e organizimit të demonstratave. Ne ishim të bindur se ishte një organizator i panjohur, ai kryesori, në lidhje me Prishtinën. Unë asokohe banoja në rrugën “Meto Bajraktari” në Ferizaj.Pas shtëpisë sonë ishte një shtëpi, asokohe e kryetarit të komunës së Ferizajt, me emrin Idriz, e mbiemri nuk më kujtohet. Unë banoja në banesë me dy vëllezërit e mi, Adnanin, student në Shkollën e Lartë, dhe Ridvanin, nxënës në shkollën e mesme.Asokohe, pas 11 marsit, policia filloi të bënte roje para shtëpisë së kryetarit të Ferizajt. Ata i ruanin shtëpinë kryetarit me aludimin tonë se ai, si kryetar i komunës, kishte mirëkuptim me qeveritarët serbë dhe ai kinse kishte qenë i rrezikuar nga shqiptarët. Policia vinte me një mikrobus përplot me policë para banesës sonë dhe aty shkarkonin nga dy policë që bënin roje aty.Tani policët filluan të bënin roje të rregullta para shtëpisë së kryetarit të komunës. Sa kalonin ditët, ne mësuam kohën kur ata vinin para derës sonë. Po si qëndronte puna me policët? Pse vinin para derës sonë? Ne kishim drojë që mos na ndiqnin neve apo diçka tjetër. Por nuk na shkonte mendja pse vinin aty, sepse policia nga ora 19:00 deri në ora 07:00 në mëngjes bënte roje.Sa kalonte koha, ne filluam para derës sonë, në rrugë, të luanim top, lojën e quajtur “servë”.Pas disa ditëve hymë në bisedë me policin shqiptar që vinte së bashku me një polic serb të bënin roje aty, para shtëpisë së kryetarit, gjatë natës. Ditë pas dite hymë në bisedë me dy policë që vinin më shpesh për roje aty.Një mbrëmje vendosëm t’i ftojmë në çaj dhe, dalëngadalë, të mësojmë se çfarë mendojnë ata për situatën e krijuar në Kosovë, se përndryshe nuk më duheshin për t’i futur në shtëpi, sepse shihnim rrugëve policë çdo ditë me shumicë.Ftesat tona dy herë u refuzuan nga dy policët, por një ditë ata na thanë: “A ka bujrum në këtë shtëpi për çaj?”, më pyeti polici shqiptar.“Po”, i thashë, “sonte jemi në shtëpi.” I tregova “zimerave” të mi dhe i bëmë gati gjygjymat e çajit, sepse na vinin mysafirë të “dërzhavës”.Në të vërtetë, polici shqiptar ishte një rezervist dhe njeri i qetë, bisedonte i shlirshëm dhe ishte në moshë aty rreth të dyzetave. Posa ra nata, erdhën para dere dy rojet e shtetit. Hynë brenda në korridor, por nuk donin të hynin më brenda në dhomë, por vetëm disa centimetra pas pragut të derës së dhomës, ulur në dy karrika. Ne, zimerat, rrinim në dhomë ulur në shilte, kurse ata rrinin te dera. Polici serb nuk pranonte të hynte ulur në karrikë në dhomë. Shpinat e tyre, ulur në karrike, ishin të kthyera kah dera e hapur e dhomës sonë. Rrinin ulur në karrike dhe, mes këmbëve, mbanin me duar kallashët e tyre. Policëve u kuvendonte ndeja tek ne në banesë, sepse muaji mars në mbrëmje ishte i ftohtë.Polici shqiptar rezervist, për nga natyra, ishte shumë i shoqërueshëm dhe bënte nga ndonjëherë edhe shaka me neve. Ishte diku nga fshatrat e Ferizajt.Me ardhjen e policëve në çaj herën e dytë dhe me t’u ulur policët në karrike, unë iu drejtova policit shqiptar: “Tek ne shqiptarët andej nga Kumanova e kemi adet që, kur vjen një mysafir i armatosur dhe kalon pragun e shtëpisë, ai duhet të ndihet si në shtëpinë e vet dhe ia dorëzon armën të zotit të shtëpisë. Me këtë sjellje të juajën, duke ardhur për çaj tek ne të armatosur me kallash në dorë, unë disi e ndiej veten paksa të ofenduar.” Polici shqiptar ia përktheu në serbisht policit serb fjalitë e mia që ua thashë atyre.Polici serb, pasi u mendua koxha mirë, më në fund nuk pranoi ta japë armën, duke arsyetuar se jemi në detyrë. “E ti?”, i thashë policit shqiptar, “ma jep kallashin mua, ‘gazdës’, të zotit të shtëpisë.” Dhe ashtu u bë. Kallashin e policit shqiptar e mbështetëm për muri në krye të dhomës. Polici serb vazhdoi të mbante, pak si i strukur, kallashin mes këmbëve me të dy duart.Pas derës së dhomës sonë, që policët ia kishin kthyer shpinën asaj, ishte krevati im. Në ballë të murit kisha ngjitur një flamur me shqiponjën kuq e zi të vizatuar me dorën time, sepse asokohe nuk kishte aq shumë flamuj si tani që kemi; flamuri im ishte në format A4. Këto nuk mund t’i shihnin policët, sepse ishte dera e dhomës mes policëve dhe murit te krevati im.Pak në të djathtë kisha një foto të Skënderbeut. Gjatë shkollës së mesme kisha bërë një abonim dyvjeçar në Tiranë për gazetën “Shqipëria e Re” dhe aty e pata gjetur atë foto. Pak më poshtë tyre kisha një foto të E. Hoxhës. Majtas dhe djathtas tij kisha të shkruara me dorë, me shkrim teknik, disa vargje me domethënie patriotike, por për momentin nuk më kujtohen se nga kush ishin ato vargje. Më vonë, kur kuptuam se policët nuk dinin emra apo diçka nga emrat e organizatorëve apo njerëzve të tjerë që kërkoheshin, por që vetëm ruanin shtëpinë e kryetarit, ne filluam dalëngadalë t’i injorojmë policët. E rralluam lojën e “servës” përjashta në rrugë dhe filluam t’u shmangeshim takimeve te dera; rrinim më tepër në dhomë duke mësuar më shumë. Ashtu, dalëngadalë, i këputëm kontaktet me policët rojtarë.Unë në Prishtinë kisha një bashkëvendas timin nga Kumanova, Mevlan Sulejmanin, por që ishte shpërngulur me familjen e vet në Prishtinë. Ai më informonte, më tregonte se si qëndronin punët për organizime. Bile, ai në të vërtetë më vonë më kishte pas dërguar të fala që të kem kujdes më të madh me atë materialin që e kisha në dhomën time te krevati. Shokët më tërhiqnin disa herë vërejtje që të kem kujdes dhe ta heq atë material nga muri.Ishte kohë me trazira dhe, për atë material, mund të kisha probleme shumë serioze me shkijet. Unë u thosha shokëve: “Unë me dorën time nuk mundem ta heq; e ju, nëse doni, hiqeni për mua.” Askush nuk donte të bëhej sebep për ta hequr atë material nga muri.Sa kokëfortë ishim për atdhedashurinë ndaj Shqipnisë. Sa e madhe ishte dashuria për flamurin, Skënderbeun dhe për E. Hoxhën asokohe. Për atë material që kisha në mur mund të dënohesha në atë kohë me qytek koxha të rëndë dhe me shumë vite burg.Unë, në të vërtetë, kisha një lidhje, apo më mirë të them, lidhjet për në Prishtinë me organizatorët i mbajsha mes një burri të ri, aty ndërmjet 25 deri 28 vjeç, që punonte në bibliotekën e Ferizajt. Unë, deri pak para se të fillonin demonstratat në Ferizaj, çdo ditë kur shkoja në ligjërata apo kur kthehesha për në banesë, ktheja shpejt në bibliotekë tek ai djaloshi i ri. Ai studionte i çrregullt në Prishtinë dhe punonte aty për pak rrogë. Emrin, fatkeqësisht, nuk më kujtohet pas këtyre 40 viteve. Ai djaloshi ishte elegant, i veshur me pantallona të zeza e këmishë të kaltër. Hyja shkurt tek ai ku punonte, por pa përshëndetje me dorë. Ndërronim disa fjali me zë të ulët. Biseda ishte e shkurtër, një apo dy minuta, dhe dilja nga biblioteka.Në bibliotekë kishte edhe punëtorë serbë që punonin aty, prandaj edhe nuk i zgjasnim bisedat. Pas ndërrimit të disa fjalive, ai më në fund shkurt më thoshte: “Qenan, s’kam asnjë lajm dhe urdhër nga Prishtina.” Nuk flisnim më gjatë pas kësaj përgjigjeje të tij.Kur takoheshim me shokët dhe më pyesnin: “A ke ndonjë lajm nga Prishtina?”, kur u thoja jo, nuk kemi lajme të reja, çfarë nervoziteti i kaplonte ata. Unë në shoqëri më tepër isha me një shok nga Brodosana, Myzafer Ademin, me Bejtush Mustafën nga fshati Jerli, Sulejman Sulejmanin nga Kërçova e të tjerë, si dhe dy vëllezërit e mi; të gjithë ne ishim nga grupi i makinerisë.Kur një ditë lakova në bibliotekë, ai bibliotekari, sa më pa, më tha: “Qenan, tani mund të fillojmë me përgatitjet në Ferizaj, por në maksimum, në qetësi dhe ilegalitet të plotë. Përherë, kur të bisedojmë, pa përmendur emra, se shkijet mund t’i kenë veshët e gjatë.”Në takimet e radhës u bisedua gjerë e gjatë për ditën se kur do të fillonin demonstratat. U caktua dita e shtunë, më 4 prill. Të shtunave në Ferizaj ishte ditë tregu, me shumë njerëz.Por, duke e analizuar brutalitetin e policisë serbe ndaj popullatës shqiptare, ne u desh ta ndërronim ditën e fillimit të demonstratave, për shkakun se, po të fillonim me demonstratë të shtunën, atëherë në treg shkonin burra e gra më të moshuar për blerjet për nevoja të shtëpisë, dhe kjo moshë do të pësonte më së keqi nga policia brutale serbe. Prandaj edhe ne vendosëm që demonstrata në Ferizaj të fillonte më 3 prill, ditë e premte 1981, duke filluar aty nga ora 11:00, me fillim para postës së qytetit.U zgjodh ora 11:00 për arsye se shumica e nxënësve të shkollave të mesme dhe studentët do të dilnin dhe vinin më shpejt nga shkollat për në demonstratë.Disa ditë më parë ishin shkruar disa pllakate tek një shtëpi diku andej nga rruga që çonte në drejtim për Gjilan, këndej urës. Ishte një punishte metali, por tani emri i pronarit nuk më kujtohet. Shtrohej pyetja: si t’i binim ato pllakate në qendër të qytetit atë ditë kur do të fillonte demonstrata?Rrugëve të Ferizajt kahdo kishte shumë policë, pothuajse në çdo qoshe e rrugë. Kuptuam se plakatet do t’i sillte një gurbetçar nga Mynihu, i cili kishte ardhur në pushim me veturën e tij Mercedes të bardhë dhe se ai kishte pranuar që t’i binte plakatet me veturën e vet deri në qendër të Ferizajt.Në mbrëmjen e 2 prillit, ditë e enjte, me disa shokë, kur kaluam përskaj hyrjes së fabrikës së mobiljeve “Tefik Çanga”, aty para derës pamë shumë kamionë që bënin transportimin e mobiljeve të gatshme nga fabrika. Nuk ishte diçka normale numri aq i madh i kamionëve para dere. Targat e tyre ishin pothuajse të gjitha të ndryshme. Në sy më ra mbishkrimi “Simpo Vranje” nga Vranja, si dhe të tjera nga Nishi i Serbisë etj.Na u duk paksa i çuditshëm numri aq i madh i kamionëve, por ne vazhduam rrugën tonë.Pasi u përshëndeta me shokët, shkova në banesë. Aty pashë se mysafir atë natë kishim djalin e hallës time, Imer Ajredinin. I lindur në Kumanovë, në moshën tetëvjeçare kishte migruar me familjen në Belgjikë. Ishte më i vjetër se unë për katër vite. Kishte ardhur me veturë. Në të vërtetë, ai nga Presheva ishte nisur për në Prishtinë për të vizituar të dashurën e vet, tani gruan e tij, Lutfijen. Në hyrje të Prishtinës ai kishte pritur mbi gjysmë ore që të parakalonin tanket ushtarake për të shkuar në brendësi të qytetit, në Prishtinë.Ishte djalë i rritur në Perëndim dhe aspak i informuar, i njoftuar, me situatën e jetës në Jugosllavi, me problemet dhe çështjet kombëtare të shqiptarëve në Kosovë. Pas darkës biseduam gjerë e gjatë, duke na treguar se si kishte parë trazira të shumta mes demonstruesve dhe policisë. Dhe ashtu, disi, edhe nipi im ishte involvuar indirekt, por, pos që ia kishin marrë pasaportën dhe dokumentet e veturës, e kishin grushtuar disa herë në bark dhe në shpinë me grushta e shkelma. Na tregonte për numrin e tankeve që kishte parë nëpër lagjet e Prishtinës, si dhe në hyrje të Ferizajt. Pas mesit të natës ramë me fjetë.Më 3 prill 1981, në mëngjes, pas orës 08:00, dola në qytet te baci Mikel, bleva një bukë dhe i rashë qytetit të shoh çfarë ka të re. Ishte ditë e premte; kishte kohë që në qytet shiheshin edhe më shumë policë.Shkova në banesë, i vesha një palë brekë të gjata, me paramendim se po të na zinte diku policia, ata në fillim të hidhnin diku nëpër podrumë dhe, për të mos u mërdhirë deri sa të na vinte radha për pyetje dhe “timar” nga policët, së paku të mos kisha të ftohtë. Ashtu ishim konsultuar me disa shokë për këtë lloj parapërgatitjeje.Aty kah ora pak para dhjetës isha në qytet, ku filluan të vijnë edhe shokët e tjerë që i përmenda më herët. Shumica e aktivistëve ishin veshur me atlete të bardha, ashtu siç ishim marrë vesh. Para postës filloi të rritet turma, por shumica rrinin diku ulur apo mbështetur ku kishin gjetur vende të lira nëpër skaje rrugësh, para postës dhe rrugës kah hoteli “Lubeteni”. Pak para orës 11:00 ustërmbush rruga kryesore, por automjetet qarkullonin shumë ngadalë dhe me kujdes, nga numri shumë i madh i të rinjve. Sa mbushej vendi para postës, policët që me ditë ishin postuar nën çdo shtyllë të rrymës elektrike, dalëngadalë lëshonin postet e tyre të vrojtimit dhe largoheshin nga aty.U ngritën dy-tri veta me duar lart, duke brohoritur: “Kosova Republikë!”, “Trepça punon e Beogradi ndërtohet!” e tjera parulla. Për dy-tre minuta u mbush vendi para postës, afër xhamisë e përreth. Marshrutën e rrugëtimit e kishim të vazhdonim para xhamisë, rrugës kryesore, ku, mbas afër 100 metrash, para ndërtesës së sindikatës do ta kalonim rrugën në drejtim të fabrikës së mobiljeve “Tefik Çanga”.Para nisjes së turmës, i ndamë detyrat, si dhe kush ku do të ishte nëpër detyra në ballë të marshrutës. Mua më ra detyra të përkujdesem për turmën në anën e majtë, në rreshtin e parë, në drejtim të ecjes së turmës.Organizatorët kryesorë ishin në grup, në mesin e rreshtit të parë. Posa u nis turma me ecje, ne nuk kishim flamur në ballë të demonstratës. Vendosëm të ndalemi para ndërtesës së sindikatës, të thejmë derën me forcë dhe të marrim flamurin kuq e zi me shqiponjë. Dhe ashtu ndodhi. Nga mesi i rreshtit të parë dhe nga krahu i djathtë i turmës së demonstruesve, nga dy-tri vetë iu afruan derës së sindikatës me shpina dhe, as një as dy sekonda, dera u “dorëzua”, domethënë u hap. Hynë brenda dhe e morën flamurin në dorë, duke e valëvitur para masës. Në atë moment jehoi një bubullimë brohoritjeje e masës kur pa flamurin kuq e zi duke u valëvitur. Unë mbaja besnikërisht vendin majtas në rresht për mirëmbajtjen e rendit, që të mos demolohej ndonjë dritare e dyqaneve apo banesave aty skaj rrugës.Një rast tipik i armatimit tonë:Që kur dolëm para postës, para se të fillonte demonstrata, përballë postës apo xhamisë, mu në qoshe aty ishte një dyqan gjelltore i vogël, “Haxhi Sejda”, tani pronë e Mexhit Rexhepit. Përpara derës, në hyrje djathtas së gjelltores, në mëngjes u shkarkua një kalë i ngarkuar me dru. Menjëherë pas shkarkesës së druve, një rom me sharrë në dorë filloi t’i sharronte drutë. Kur u bë brohoritja e parë para postës dhe masa kur u vu në lëvizje, po bisedoja me shokët e mi që i kisha pranë meje të marrim nga një dru në dorë, sa të kemi diçka me vete. Në rast se do të na dilte policia nga anash në befasi, së paku të kemi me çka t’u kundërvihemi për shkurt, me ndonjë gjuajtje në fillim.Unë u drejtova i pari kah drutë e prerë, i sigurt se ai do t’i përdorte ato dru për zierjen e gjellave të gjelltores. Duke iu drejtuar turmës së druve, m’u duk se pronari ishte te dera dhe shihte çudira se çka po ndodhte aty me drutë e veta të prera. Unë i thashë shkurt: “Bac, unë po e marr një dru se nuk i dihet punës sot.” Ai sikur qeshi me vete dhe ma ktheu: “Ani, merrni, merrni.” Mora drurin dhe vazhdova, por, si më duket, unë nuk isha i vetmi që mora një dru. Nuk ishim vetëm dy-tri veta që morëm dru, por me siguri se gjysma, në mos më tepër, e druve u bënë armë e ftohtë dore në ato momente për neve, sepse posa mora unë drurin e prerë në dorë, menjëherë vazhdova.Pasi e morëm flamurin, filluam marshin, por menjëherë na u paraqitën probleme të tjera. Duke kaluar përskaj banesave, banorët serbë që banonin në ato katërkatëshet, nga ballkonet e tyre filluan të gjuanin me rrashta lulesh, me ujë të ngrohtë e sende të tjera të forta. Për fatin tonë, uji, deri sa binte mbi trupat tanë, paksa ftohej dhe nuk na bënte lëndime. Ne vazhdonim duke mbajtur rend në anën e majtë dhe duke brohoritur parullat me gjithë atë fuqi rinore.Kaluam sindikatën më tej, ku pas 100 metrash donim të kthenim djathtas mbi shinat e hekurudhës për të vazhduar për në qytet. Aty shteti kishte postuar që paradite dy-tri ushtarë të armatosur dhe rrinin në mes të binarëve. Kur deshi turma demonstruese të kthehej në të djathtë, ushtarët me kallashë në dorë na bënë me shenjë dore të ndalonim.Personat nga mesi i rreshtit e filluan bisedën me ushtarët. Unë, për arsye se shkollën e mesme dhe dy vite në shkollë të lartë i kisha mësuar në gjuhën serbokroate, u involvova në bisedë me ushtarët. Ushtarët që nga fillimi i bisedës flisnin paksa të shqetësuar, por flisnin qetë dhe ngadalë, pa nervozizëm. Duke biseduar, na flisnin me sinqeritet si mes familjarësh: “Ju lutemi, ne kemi urdhër të prerë që sot askënd të mos lejojmë të kalojë mbi urë. Kemi urdhër që, në rast se do të vendosni me forcë për të kaluar këtej, kemi urdhër nga komanda lirisht me përdor armët tona.” Disa herë e përsëritnin këtë urdhër, si me një ton lutës e jo kërcënues.Më kujtohet shumë mirë kur njëri nga ushtarët na u drejtua duke na thënë: “Ne nuk jemi njerëz nga policia, por jemi të ushtrisë, edhe ne jemi djem të nënave tona.” Më vonë, pas disa muajsh, analizonim me shokët për këtë thënie të fundit të tyre. Ushtari që e tha këtë fjali nuk ka qenë serb, por ndoshta slloven apo kroat. Serbët dhe boshnjakët silleshin më brutalisht ndaj popullit para, si dhe më vonë, pas demonstratave të 3 prillit.Mirë pra, edhe bashkëbiseduesit aty u bindën se duhej ndërruar marshruta e rrugëtimit. Vazhduam rrugën kah salla e sportit. Salla e sportit ishte mbyllur, uzurpuar, pas demonstratave të 11 marsit ’81. Aty ishin dislokuar njësitë speciale të policisë jugosllave. Mua më kujtohet shumë mirë situata e sallës, sepse në atë sallë kishte afër një vit që ushtronim karate te mjeshtri i karatesë me brezin e tretë, Fahri Mahalla.Vazhduam rrugëtimin më tej, duke ecur e brohoritur parullat e zakonta. Pas afër 50 metrash, sa u konsolidua rrugëtimi i turmës, rruga tërësisht ishte e mbushur me rini që demonstronin për liri më të mëdha kombëtare. Pamë kur para turmës sonë ecte një Tamiç, siç i thonim asokohe kamionëve të vegjël 3.5 tonësh. Ishte me targa të ST-së, të Shtipit. Në brendësinë e kabinës dukej shoferi dhe një tjetër person. Në Shtip nuk jetojnë shqiptarë. Shoferit, duke e parë turmën e madhe me flamur në ballë të demonstruesve, nuk i shkonte mendja të ndalonte tërësisht skaj rrugës, por ecte ngadalë duke bërë shenjë me dorë që t’i lëshohej korsia e lirë. Por me këtë gjest shoferit i doli hesapi ndryshe. Shkuam dy vetë që t’i thonim shoferit të ndalojë deri sa të kalonim ne. Shoferi, aty në të 40-at, filloi të bënte zhurmë duke e kërkuar rrugën e vet. Duke biseduar me të, në dritaren e kamionetit përpara i erdhi një breshëri drunjsh nga demonstruesit. Kur dikush gjuajti me dru nga anash, shoferi me atë tjetrin dolën nga dera e djathtë. Lanë kamionin e fikur në skaj të rrugës, duke u drejtuar për në drejtim të sallës së sportit.Ne vazhduam programin e rrugëtimit për afër 200 metra më tej, kthyem djathtas rrugën në drejtim kah fabrika e gypave. Nga afër, duke kaluar para derës së fabrikës, i shihnim punëtorët e zyrave të cilët ishin tubuar afër dritareve, ku na shikonin dhe dëgjonin brohoritjet e parullave studentore. Disa nga ata edhe përshëndetnin me duar, por jo edhe aq shlirshëm.Ndaluam para derës kryesore, duke valëvitur flamurin me brohoritjet e zakonta “Kosova Republikë” etj. Tani e shqiptuam me gjithë fytat e rinisë së nxënësve dhe studentëve të Ferizajt: “Kush nuk vjen, është tradhtar!” Aty diku, në një skaj dritareje, pashë profesorin tim që na i mësonte detajet e makinerisë, ing. prof. Nebi xxxxx. Ky njeri kishte vuajtur burg disa vjeçar për aktivitetet e tija kombëtare.Pas disa minutash qëndrimi para portës kryesore të fabrikës gjigante të gypave, vazhduam marshin tonë më tej. Turma tani ishte koxha e madhe. Mund të them se ishim tubuar mbi 1000 veta, duke brohoritur gjatë tërë kohës parullat e njëjta.Pasi parakaluam para fabrikës, vazhduam teposhtë përskaj remontit në drejtim kah fabrika e mobiljeve “Tefik Çanga”. Koha atmosferike ishte fenomenale, me diell, edhe atmosfera e rinisë e rriste edhe më shumë krenarinë për të qenë pjesëmarrës në këtë demonstratë, edhe pse e dinim se dikur, herët a vonë, sot do të takoheshim me konfrontim të madh me policinë brutale jugosllave.Duke ecur rrugës, paralel majtas me rrugën ishte oborri i fabrikës së mobiljeve “Tefik Çanga”, i rrethuar me taraba druri të larta mbi një bojë njeriu. Nga larg pamë se policia kishte marrë pozitë në rrugën tonë, që ne ishim duke e përshkuar, në mes fabrikës dhe turmave të mëdha të dheut majtas, ku godina e re e policisë ishte në ndërtim e sipër.Policia jugosllave, sa më kujtohet mua, ishin ulur në gju rreshti i parë, me “bajoneta” në pushkë, kurse rreshti i dytë dhe pas tyre, në gjendje gatishmërie, ishte policia speciale me numër koxha të madh. Kishin zënë pozicionin e vet karshi neve për ta penguar marshimin tonë në drejtim të qytetit. Meqë isha në krye të turmës, i pashë mirë pozicionet dhe mënyrën e pozicionimit të policisë në mes të rrugës.Tani situata sa filloi të acarohej. Turma e demonstruesve në këto momente brohoriste me plot fyt parullat e rëndomta të kohës. Situata dukej se do të merrte një epilog tjetër, dhe jo ashtu siç e kishim planifikuar ne. Helikopterët filluan të fluturonin mbi qiell, herë mbi kokat tona, herë kah qendra e qytetit.Para nesh, në një distancë prej afër 50 metrash, shihej qartë rreshti i parë i policisë. Pas nesh, në distancë prej afër 100 metrash, filluan të shkarkohen forca të tjera policore nga autobusët dhe nga kamionët. Pashë që edhe grupi tjetër policor filloi të ecë pas nesh, deri kur ne ndaluam në vend. Në këto momente ne ishim të rrethuar nga të dy anët me policinë speciale, para dhe mbrapa nesh.Nuk kaloi shumë kohë pasi u tubuam ne, masa e demonstruesve koxha ngushtë në vend, e gjithë ajo masë në ato momente, policia speciale filloi të gjuante me bombola gazi, së pari nga para e mandej nga mbrapa. Për arsye se unë isha me vëllanë tim kah tarabat e kombinatit “Tefik Çanga”, shumë mirë i kam parë bombolat e lotësjellësit se si ato fluturonin mbi kokat tona.Nga më herët, fill pas demonstratave të 11 marsit, ne ishim informuar nga disa studentë që studionin në fakultetin e kimisë, që në rast se do të gjendeshim në mes të tymit të lotësjellësit, do të ishte mirë që me vete të kishim nga një faculetë të lagur mirë me ujë. Kishim dëgjuar se edhe qepët ndihmonin në këso raste. Unë që nga mëngjesi e kisha faculetën e lagur dhe e kisha mbështjellë me një qese të vogël najloni, që të mos thahej, në xhep.Isha duke e lidhur faculetën në qafë që të isha gati për mbrojtje nga lotësjellësi, kur në atë moment rastësisht pashë në fluturimin e sipërt një bombolë lotësjellësi që vinte në drejtimin tonë. Bombola e goditi mu në gjoks një nxënës të shkollës së mesme. Pluhuri nga gjoksi i ra fytyrës dhe nëpër trup. Filloi të bërtasë nga djegia e fortë e syve. Nuk shihte asgjë.Pak para se të fillonin gjuajtjet e tjera të policisë, pothuajse e tërë masa filloi të shkulte nga një tarabë sa për t’u mbrojtur pak në rast se do të vinim në kontakt me policinë. Filloi breshëria e bombolave me gaz nga të dyja anët, nga para dhe mbrapa. Kordoni policor para nesh mbante pozicionin e vet në rrugë, sepse ata për momentin vetëm gjuanin. Lëviznin shumë pak e dalëte para kah turma jonë.Policët nga mbrapa ecnin më shpejt në drejtimin tonë, prandaj edhe gjuanin më pak. Masa protestuese, duke parë se hymë në situatë të gërshërëve nga të dy anët nga policia dhe rrugë tjetër nuk mbeti, unë dhe vëllai morëm atë çunin e plagosur dhe vendosëm të hynim në oborrin e fabrikës. Të plagosurin e mbanim me vëllanë tim për krahësh dhe ashtu filluam ecjen, pa ditur se kah do të iknim dhe kah të shkonim.Vazhduam oborrit dhe godinave të fabrikës, nëpër një repart të saj. Ishte plot me makina për përpunimin e drurit. Kishte punëtorë që punonin në to dhe plot të tjera jo. E pyetëm një punëtor kah është më lehtë dhe më shpejt për të dalë nga reparti. Ishte shqiptar dhe na tregoi me dorë kah të shkonim. Sipas asaj që pamë, deri sa dolëm nga reparti i fabrikës, punëtorët shqiptarë punonin, kurse në oborr një grup punëtorësh serbë rrinin jashtë me cigare në dorë.Pasi dolëm nga oborri i fabrikës, para nesh na dolën disa shtëpi me oborre e me kopshte. Oborret ishin të thurura me tela, por jo të gjitha. Ne po ecnim si në ngarendje, duke e tërhequr atë nxënësin e plagosur. Shkonim në drejtim kah banesa jonë. Filluam të orientohemi se ku ishim tani, pasi dolëm nga fabrika e madhe e mobiljeve.Djaloshin e ri e kishim koxha shumë të lënduar me armën kimike, lotësjellësin. Nuk ishte i përgjakur, por atij, kur i ra bombola me pluhur nën gjoks, ai më tej mori pamjen e mullixhiut nga pluhuri i bardhë. Ai nxënësi, nga reagimi i pluhurit në sytë e tij, pothuajse nuk shihte aspak, sepse kishte djegie të madhe të syve dhe nga sytë e tij i dilnin sasi të mëdha lotësh, sa që ia pamundësonin pamjen.Ashtu filluam të trupojmë nëpër oborret e shtëpive, herë nën tela e herë mbi tela. Diku me leje e diku pa leje trupojnim oborret e shumta, edhe pse na shihnin pronarët duke shkelur nëpër lera të mbjella me zarzavate pranverore, qepë, hudhra etj., apo edhe vetëm të përgatitura për mbjellje. Këdo që takonim në oborr, zakonisht takonim gratë amvise, sepse burrat ose kishin punuar, e rinia ishte dashur të ishte në shkollë ose në demonstrata. Qyteti gjëmonte nga tyf-tyfat e shumta të policisë me armë, e zhurma e tankeve dhe helikopterit.Këtu po cek një rast shumë të rrallë: duke e bartur atë nxënësin e plagosur, ashtu siç i kalonim nëpër shumë oborre apo kopshte të shtëpive, duke kaluar nga oborri në oborr, mbërritëm tek një oborr me kopsht të thurur elegant me tela në një lartësi ndoshta mbi 1 metër. Para telave mbërritëm në mes të kopshtit, por nuk mund t’i kërcenim telat shkaku i lartësisë. Ngarendëm majtas kah dera mbrapa hyrjes në oborr. Aty pamë një grua në moshë në kopsht; duket se ajo na kishte parë nga oborri i shtëpisë. Duke i kërkuar falje për kalimin që patjetër do ta bënim, duke e trupuar kopshtin e mbjellë me kujdes merakliu me zarzavate pranverore, e pyetëm nënlokën se a mund të kalonim nëpër oborr me këtë shokun e plagosur.“Po”, u përgjigj ajo, “ejani më afër shtëpisë se atje i keni telat.”Ne, kur deshëm të hynim në oborr, aty majtas, në një verandë para shtëpisë, kishin qenë ulur nëpër shilte në tokë afër 7 apo 8 gra. Përballë grave, ulur në karrikë, rrinte ulur një nuse e re me fustan të bardhë nusërie dhe me vello në kokë.Kur hymë në oborr, para derës ne të tre që ishim ndaluam para derës që të mos kalonim pranë apo aq afër atyre grave.Në ato momente, ajo lokja na u drejtua me krenari duke na thënë: “Ejani, ejani, sa më mirë kaloni, bijtë e mi. Mos kini dert, kaloni nëpër kopsht, mos u mërzitni aspak.”Me të hyrë në oborr, ne shpejt e shpejt kaluam përskaj tyre dhe dolëm në rrugën tonë nga mbrapa ku ne banonim. Sa ka mundur të zgjasë kjo rrugë, afër 15 minutave, dhe mbërrimë në banesën tonë. Ishte ora afër 12:30 apo 13:00.Kur hymë në lagjen e rrugës sonë, dëgjoheshin të shtëna dhe zhurmë automjetesh. Helikopteri fluturonte mbi qytet, sigurisht duke bërë incizime.Me të mbërritur në banesë, çunin e plagosur e futëm në banjo për t’ia larë gjithë trupin me ujë, kokën dhe veçanërisht larjen e syve. Pas dushit që i bëmë të plagosurit, mandej e shtruam të pushonte në krevatin tim dhe të qetësohej nga dhimbjet e shumta që kishte.Mysafirit që e kisha nga mbrëmë, djalit të hallës time, pasi u pastruam edhe ne, u ulëm t’i tregonim shkurt vetëm për plagosjen e djaloshit nga lënda kimike e lotësjellësit, por jo edhe për rrjedhën e demonstratës.Pas një çerek ore bisede dhe freskime me nga një çaj, ai, djali i hallës, shprehu dëshirë dhe donte të nisej me veturë për të shkuar në Preshevë. Pasi situata politike ishte koxha shumë e tensionuar, edhe unë me vëllanë vendosëm të bëhemi gati dhe të shkonim bashkë me djalin e hallës, Ymerin, për në Kumanovë. Shkaku pse u nisëm për në shtëpi ishte se, duke menduar se nga nesër do të fillonin arrestimet nga policia, mandej në rast se do të kapej nga policia ndonjë shok i yni, ne do të ishim në radhë të parë për të na burgosur.U nisëm me veturë vetë i treti, kurse vëllai im i tretë, Adnani, mbeti në banesë me atë djaloshin e plagosur, sepse ai ishte ende shumë i dobët për të ecur vetë. Gjithandej nëpër rrugët e qytetit, ngarendje dhe përplasje e policisë me pjesën tjetër të demonstruesve nëpër qytet.Me veturë ecnim rrugëve shumë anësore. Prej rruge në rrugë, gjithandej kah shkonim kishte polici të shumta. Shkonim nëpër rrugë të shumta; diku na kthenin policia mbrapa e diku na lëshonin, kur shihnin tabelat nga Presheva, dhe dalëngadalë, duke u larguar nëpër rrugët anësore nga Ferizaji, u kyçëm në rrugën kryesore për në drejtim të Shkupit.Rrugës nuk dukej asgjë e jashtëzakonshme. Hej tek-tuk ndonjë veturë e policisë. Hymë kthesave të Kaçanikut, kur pas një kohe rastësisht para nesh ngiste ai kamioni i vogël Tamiç me targat e Strumicës nga Maqedonia. Ne nuk do ta vërenim se ishte ai Tamiqi që u gjuajt me dru para sallës së sportit, por, për shkak të kthesave të shumta të rrugës, ne i shkonim mbrapa dhe shihnim se si ai ndihmës-shoferi në kabinë, nga ana e djathtë në drejtim të rrugëtimit, kohë pas kohe hidhte nga një dru për dritare. Kjo u përsërit disa herë, deri sa u vërtetuam se ishte po ai kamioni maqedon që ia kishim gjuajtur drutë në kabinë, deri sa shoferi kërkonte rrugë nga demonstruesit para sallës.Në të dalë nga Elezhani, pak më poshtë, na ndaloi një postbllok i policisë. Kontrolluan veturën dhe dokumentet tona, duke na pyetur prej nga vinim dhe pse ishim në Ferizaj. I treguam se ne ishim në shkollim atje dhe tani, e premte, po shkojmë për në shtëpi. Dhe ashtu, dalëngadalë, me veturë, pas dy orë rrugëtimi mbërrimë në Kumanovë, në shtëpi.Te dera e shtëpisë, si përherë, ishte nëna që na pa e para dhe u gëzua tej mase, duke na përqafuar me shumë e shumë pyetje të tjera për situatën atje në Ferizaj. Tani nënës sonë, nga katër djemtë që kishte në shkollim në Kosovë, dy djem i kishin mbetur, njëri në Prishtinë dhe tjetri në Ferizaj.Pas darke dëgjonim lajmet në TV dhe radio. Flakë për goje villnin moderatorët serbë e maqedonë kundër neve shqiptarëve, duke përdorur fjalët e zakonshme që ishin për atë kohë, si: irredenta shqiptare, separatistët shqiptarë që dëshirojnë të prishin sistemin federativ komunist të shtetit jugosllav.Fqinjët e lagjes sime, me të dëgjuar se kemi ardhur nga Kosova, nuk vonoi pak dhe u mbush dhoma jonë. Shumica nga ata ishin kureshtarë të dinin dhe të dëgjonin nga ne se si dhe çka po ndodhte në Kosovë. Kështu ishin kohërat e para katërdhjetë viteve, me pak mediume për t’u informuar për situatën atje dhe përreth nesh.
Qenan Hamdiu e shënoi këtë rikujtim për demonstratat në INDI, 2021.



