Si fëmijë, ai e filloi shkollën në gjuhën e tij amëtare. Shkollën e mesme e kreu në shqip, por studimet i vazhdoi në gjuhën serbe. I përkiste brezit të disidentit të mëvonshëm Danillo Kish (Danilo Kiš), shkrimtarit që më vonë e kuptoi misterin e jetës. Pesë vjet pas lindjes së tij nuk ekzistonte më mbretëria serbe, e cila u rikthye në fund të vitit 1944 edhe një herë si komunizëm jugosllav. Jugosllavinë komuniste ai e përjetoi kryesisht nga burgu. 28 vjet nga jeta e tij nga gjithsej 44 vjetët e këtij shteti i kaloi në kazamatet e tij. Pas Jugosllavisë së Titos dhe Millosheviqit (Milošević) erdhi Republika e Kosovës, e cila vlerësoi veprën e tij si një aksident politik, edhepse Parlamenti Europian i akordoi çmimin „Saharov“. Por Adem Demaçi s’ishte vetëm politikan. Ai ishte edhe shkrimtar. Demaçi është dhe autor i romanit të parë në gjuhën shqipe në Kosovë, i romanit „Gjatpinjtë e gjakut“. Si romancier, ai i bëri një interpretim politik gjakmarrjes, që krahas shpërnguljes në Turqi, ishte instrumenti më efektiv i sundimit në ato vite mbi shqiptarët, të cilët mbaheshin nën kontroll me metoda biologjike. Për këtë shkak u ndëshkua me heshtje. Kushdo që fliste si ai, duhej të llogariste në burgun, sepse vetëm aty mund të ruhej liria. Objektivisht burgu i tij kurrë zyrtarisht s‘u interpretua si rezistencë e ndërgjegjshme politike, por më tepër si një lloj kokëfortësie karakteriale. Edhe kjo zyrtarisht se në popull ishte ndryshe. Vetë Demaçi ka folur herë pas here për motivet e rezistencës së tij me një fjalor që të mund t’i përçonte te masa idetë e tij kryesore. Ai asgjë nuk bëri nga kokëfortësia, por pse nuk deshi asnjëherë që të kthehej në një qenie që trajtohej me përbuzje vetëm si vegël. Ai nuk deshi ta shtyp popullin e tij, në rastin më të mirë si një oportunist e frikacak qyqar. Politika represive serbe ishte e ashpër dhe e pamëshirshme. Megjithatë, ajo u kundërshtua me guxim. Dhe këtë guxim e mishëroi Adem Demaçi dhe shpura e tij. Realja u pa në atë kohë dhe më vonë si një virtualitet bezdisës dhe jo si një tipar i jashtëzakontë i identitetit real kombëtar. Mund të kishte qenë edhe ndryshe realiteti politik i Kosovës, por me Adem Demaçin ishte gjithmonë luftë, luftë frontale: Adem Demaçi e edukoi masën që të flasë hapur për çështje publike, ai kurrë s‘ pranoi të flitet nën zë për çështjen shqiptare. Kjo ishte arsyeja e ndëshkimit të tij drakonik. Frika duhej të korruptonte çdo gjë në hapsirën publike. Serbia donte që shqiptarët t’i shtypte tinzisht, pa e ditur ata sesi manipuloheshin. Shtypja e popujve ka kosto të lartë, andaj protagonistët e saj shikojnë që në synimin e tyre të jenë sa më efektiv. Tinzia është thjesht metoda e sundimit me kosto të ulët, sepse gjëra që do të duhej t’i bënte pushteti vihen në lëvizje nga tė dëmtuarit, të cilët objektivisht e ndihmojnë shtypjen dhe degradimin e vet, gjithmonë me një frazeologji kundër shtypjes. Adem Demaçi e demaskoi këtë strategji jo vetëm me mjetet e letërsisë, sepse në një mjedis të prapambetur gjërat duheshin artikuluar troç, dmth. politikisht. Mirëpo politika nuk lejonte një artikulim të tillë. Megjithatë çështja shqiptare me Adem Demaçin pati gjithmonë një zë të fuqishëm që u dëgjua larg. Rezistenca e tij është unike. Ai foli kur gjithë të tjerët heshtën. Ai foli se guxoi dhe sepse ishte i gatshëm ta paguante çmimin e lartë të lirisë. Edhe në kohën kur u paraqit UÇK-ja, ai nuk heshti, por doli publikisht në mbrojtjen e saj. Lufta e armatosur ishte tepër e rëndësishme, por ajo u bë edhe më e rëndësishme me zërin e tij politik. Ai lindi, jetoi dhe vdiç, por nuk jetoi si të tjerët, sepse jetoi dhe vdiç për Shqipërinë. Në fakt jetoi si një simbol, andaj dhe e ndëshkuan me burg dhe injorim, edhepse nuk mundën ta vrisnin, sepse simbolet nuk vriten as me injorim dhe as me plumb. Deheroizimi i tij ishte program shtetëror. Në fillim u penalizua çasja e tij ndaj serbëve si një lloj tradhëtie kombëtare, pastaj kjo çasje u shikua si një lloj radikalizmi që e pengon rikthimin e paqes në një rajon që përjetoi trauma të rënda lufte.
2.
Adem Demaçi ka shkruar shumë libra dhe ka folur mjat në mediat publike edhe për jetën e tij. Në gazetën e madhe amerikane „The New York Times“ thotë se zyrtarisht u regjistrua në zyrën e vendit vetëm pas gjashtë muaj të lindjes së tij. Një ditë nëna e tij i tha të shoqit, shko në zyrën e vendit dhe e regjistro djalin se me gjasë ai do të jetoj. Me sa duket, ai ishte shëndetligë dhe prindërit e tij s‘e kishin regjistruar nga frika se ai nuk do të jetonte gjatë. Në këtë kohë vdekshmëria e foshnjave ishte e lartë. Antibiotikët sapo ishin zbuluar në Angli, por s’kishin arritur në Kosovë. Pos kësaj, regjimi serb ishte shumë i interesuar për vdekshmërinë e foshnjave shqiptare, sepse kështu e kontrollonte lehtësisht shtimin biologjik të shqiptarëve. Dhe dihet botërisht se Beogradi zyrtar bënte gjithçka që numri i shqiptarëve të pakësohej. Statistikat dhe policia e bënin punën e tyre, por regjimit i duhej edhe një forcë më e madhe dhe anonime. Por fëmija mbijetoi, ndodhi e kundërta e asaj që ishte pritur. Babai i tij vdiç nga tuberkulozi kur Adem Demaçi ishte fëmijë tetëvjeçar, pra nxënës i shkollës fillore. Tre vjet më vonë i vdiç edhe vëllau i madh. Familja e tij u reduktua në tre anëtar, në nënën trime dhe dy fëmijët e saj. Në një intervistë për mediat kosovare, Demaçi rrëfen për nënën e tij Nazife që i tregonte çdo mbrëmje par fatin tragjik të familjes së saj. Babain, Halimin, ia vranë serbët në pushtimin e tyre të parë. Këtë traumë nëna e tij kurrë s‘e tejkaloi, por e barti si tregim te fëmijët e saj. Adem Demaçi si fëmijë i vogël u rrit me këto tregime rrëçethëse, por reale. Atëbotë, vetë jeta përshkohej nga një ashpërsi e pazakontë. Tmerri ishte pjesë e përdishmërisë së saj. Gjithçka që në kohën tonë duket disi e pazakontë, atëherë ishte përditshmëri. Dy vdekje në një familje të vogël në harkun kohor prej 3 vjetësh tregojnë më së miri sesi ishte jeta e një familjeje shqiptare. Serbia e dytë e vazhdoi politikën e të parës, por edhe me dredhi krahas dhunës shtetërore. Por një njeri si Demaçi që u bë dhe shkrimtar, nuk mashtrohej lehtë. Ai i kishte sytë në ballë dhe i përdorte ata para së gjithash për të parë. Për të qarë le t’i përdornin ata që nuk donin të shihnin. Adem Demaçi kishte një vështrim të thellë të realitetit shoqëror. Parullat e regjimit të ri nuk e errësuan gjykimin e tij asnjëherë. Ai shihte përtej parullave, përtej asaj që thuhej me shumë zhurmë. Ai qysh i ri e pa se për shqiptarin joservil nuk kishte asnjë shans. Shkolla duhet të ketë lozur një rol të rëndësishëm. Mësuesja Vezire, siç thotë vetë Demaçi, çdo ditë mësimi e fillonte me këngën që injektonte te nxënësit dashurinë për Shqipërinë, madje duke ndërtuar një raport prindor me të. Vargu „Të kam Nënë e më ke djalë“ i thotë të gjitha. Si një djalë i tillë ndaj Nënës Shqipëri u dëshmua në gjithë jetën e tij. Mësuesi shkodran Kolë Nikaj që u rrëfente nxënësve të tij gjëra të padëgjuara nga historia kombëtare, jashtë programit zyrtar të shkollës mes viteve 1944-1948, pastaj arsimtari Zekiria Rexha që u fliste për tema të rrezikshme në klasë në një shkollë ku shpesh „zbuloheshin“ grupe të ndryshme armiqësore, etj. Edhe në takimin me Dobrica Qosiqin (Dobrica Ćosić) ishte po Zekiria Rexha që e përkrahi piublikisht ish nxënësin e tij. Takimi me Qosiqin u mbajtë në ndërtesën e „Rilindjes“ që dikur kishte qenë burg. Të gjitha këto patën një ndikim të madh në zhvillimin ideologjik të nxënësit Demaçi, por ndikimi vendimtar në orientimin e tij atdhetar vinte nga shtëpia, nga rrëfimet e nënës Nazife, e cila fëmijën e saj e mësonte se njeriu ka vërtet një nënë biologjike, por nëna e tij e vërtetë është Nëna Shaipëri, e cila nuk vdes kurrë, kurse nëna biologjike megjithatë vdes: Nëna Shqipëri është përkundrazi e përjetshme. Këto fjalë i thotë një nënë që s’e kishte asnjë ditë shkollë dhe një nënë që kishte vetëm një djalë dhe një vajzë, një nënë që rriste dy jetima që sipas mendimit të përgjithshëm, do të duhej t’i kursente nga krajatat e jetës. Me motrën e tij, Adem Demaçi shëtiste nëpër Prishtinën që zbrazej përditë nė pranverën e vitit 1999, kurse nëna i vdiç kur ai ishte në një çeli burgu. Po në çeli mori edhe lajmin për lindjen e djalit të tij të vetëm. Pikëllimi dhe gëzimi, siç do të vërej Demaçi, në vetmi janë ndryshe. Edhe në këtë këndvështrim njeriu është qenie shoqërore që ka nevojë ta ndaj me të tjerët qoftë pikëllimin, qoftë gëzimin e tij. Me burgun e në përgjithësi me jetëshkrimin e tij, Adem Demaçi është një figurë kombëtare unike. Ai me të vërtetë mund të krahasohet me Gjergj Kastriotin-Skenderbeun, i cili, sipas Sami Frashërit, është i vetmi njeri që jetoi e luftoi për Shqipërinë. Një nënë e tillë e lindi dhe e edukoi një njeri si Adem Demaçin. Adem Demaçi u bë më vonë shkrimtar dhe një qëndrestar i jashtëzakontë, por kurrë s‘i harroi rrënjët e tij. Ndër katër personat që e përcaktuan orientimin dhe zhvillimin e tij janë nëna e tij biologjike Nazife dhe tre mësuesit e tij që u përmendën më parë.
3.
Në prill të vitit 1990 Adem Demaçi u kthye në shtëpi nga një rrugëtim i gjatë mërgimi që kishte filluar në vitin 1958. Ai e deshi lirinë personale, por më shumë e donte një liri që e kishte edhe dimensionin kolektiv: ai donte të ishte i lirë mes njerëzve të lirë. Këtë kusht nuk e siguronin ata që sundonin. Përkundrazi ata e bënin krimin dhe i siguronin kriminelit mundësi veprimi të pakufizuar. Këta njerëz me pushtet të madh donin që shqiptarët të këndonin gjatë rrahjes, jo të bërtisnin. Adem Demaçi kishte filluar të botonte, por tregimet e tij që e merrnin lëndën nga masa e gjerë e popullit të tij nuk pëlqeheshin nga disa, kurse nga disa të tjerë shikoheshin si trajtim i rrezikshëm. Tregimi „Kthimi“ kishte vënë në qendër shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Ymer Pula që ishte drejtor i „Rilindjes“ një ditë e thirri në zyrë dhe i tha se tregimi i tij s‘mund të botohet, jo për vlerat e tij artistike që s‘i mungojnë, por për arsye politike, duke qenë se shtron një problem që duhet të diskutohet në Lidhjen Socialiste. Adem Demaçi e merr tregimin e pabotueshëm dhe shkon me të në redaksinë „Jeta e Re“ të Esad Mekulit, i cili menjëherë, pa asnjë vërejtje e boton tregimin në faqet e revistës së tij. Meqë u përmend këtu një personalitet që rradhitet në pesëshen e madhe, që ndikoi direkt në formimin ideologjik dhe letrar të Demaçit, duhet shtuar se Esad Mekuli e botoi në faqet e revistës „Jeta e Re“ edhe romanin e tij „Gjarpinjtë e gjakut“ në një kohë që po përgatitej arrestimi i parë i autorit. Vetë Adem Demaçi i veçon vlerat njerëzore dhe atdhetare të këtij njeriu që deri në vdekje kurrë nuk foli për veten e tij. Megjithatë, puna e tij për emancipimin e kombit shqiptar s‘kaloi pa u vënë re. Në romanin që i kushtohet pranverës së madhe 1981 „Kushqit janë ngrirë“ të Ismail Kadaresë na shfaqet ky njeri nën vellon e personazhit Martin Shkreli.
Të kthehemi në vitet 1990. Populli i organizoi njė pritje madhështore. Ai nuk ishte populli që e kishte lënë, kishte ndryshuar shumë, por Adem Demaçi aspak në qëndrimet e tij politike. Pse nuk kishte ndryshuar ai? Sepse nuk kishte asnjë ndryshim në themet e shtetit që i sundonte shqiptarët: sundimi kishte mbetur i paprekur në themele. Por diçka mungonte në këtë pritje: liria. Adem Demaçi e dinte këtë dhe tha: dola nga një burg në tjetrin, por ky është një burg i madh që e zë gjithë popullin. Populli i tij vuante edhe më tej nga mungesat elementare e lirisë. Përderisa ishte kështu, ai lirinë e tij personale nuk mund ta interpretonte si liri të vërtetë. sidomos jo tani që po kthehej nga kazamatet e një shteti që kishte bërë gjithçka që kishte mundur për zhdukjen e shqiptarëve. Populli që e priste e dinte këtë gjë dhe u gëzua kur dëgjoi nga goja e tij këto fjalë aë lidheshin me shpresën sesa të ketë njerëz të tillë të palëkundshëm nuk duhej hequr dorë nga shpresa e madhe e lirisë. Gjuha e tij politike nuk ndryshoi, ishte po ajo e rinisë, gjuhë që i artikulonte problemet me një precizion kirurgjik. Ajo ishte e ashpër me ata që përmes pushtetit politik i manipulonin njerëzit, por edhe mirënjohëse ndaj atyre që kishin ndihmuar mbijetesën e shqiptarëve si popull. Adem Demaçi fliste për serbët që e persekutian dhe për serbët e tjerë që s‘patën dhënë kurrëfarë kontributi në ndjekjen e tij. Armiqtë e tij politik, dmth. ata që e dinin të vërtetën, por bëheshin sikur nuk merrnin vesh asgjë, sepse tani luanin me kartën e nacionalizmit, shpreheshin kinse me njëfarë rezerve ndaj terminologjisë së Adem Demaçit, në figurën e tij publike kishte diçka nga Jezu Krishti që thotë fali Zot se nuk e dinë ç‘bëjnë. Por ata që e dinin të vërtetën dhe mundoheshin ta fshihnin ishin kriminelët, jo budallenjtë që u shkonin pas. Lutja e Demaçit i dedikohej të dytëve. Ai kurrë s‘u ankua në publik për njerëzit që e ndiqnin, sigurisht që për sa kohë ai u kundërvihej atyre, ata do të vepronin për ta vrarë atë edhe biologjikisht, kurse vrasja publike llogaritej si një efekt anësor i gjithë kësaj bande.
4.
Adem Demaçi ishte një demokrat i vërtetë që e mbronte lirinë e fjalës. Ai thoshte se secili njeri duhet të mbajë përgjegjësi për atë që thotë në publik, por edhe duhet tê ketê mundësinë ta thotê publikisht atë që mendon. Adem Demaçi shkonte aq larg sa e lejonte edhe komtrabandimin e shpifjes si të vërtetë, sepse ishte i bindur që në një shoqëri të mbyllur gjithçka e kishte statusin e të vërtetës. Në një shoqëri të hapur manipulimi i masës s‘ishte i pamundur, por megjithatë mbetej një fakt i përkohshëm, sado e gjatë të ishhe koha e rrenës që përhapej përmes mediave. Pa të vërtetën nuk do të mund të jetonte asnjë shoqëri. Në një intervistë i thanë se Fatos Lubonja po thotë se Adem Jashari ishte vrasës i familjes së tij, sepse i qëndroi rrethimit serb me çmimin e vdekjes së anëtarëve të rrethuar të familjes. Intervistuesi ishte irrituar nga fakti se nuk zihej në gojë fare vrasësi i vërtetë, se viktima dhe vrasësi i ndërronin vendet, duke qenë se si shkak i krimit merrej qëndresa e shqiptarit. Më ka mbetur në kujtesë një fjali nga një intervistë e shkurtër e Shaban Jasharit për BBC-in pak ditë para sulmit të tretë të policisë dhe soldateskës serbe mbi familjen e tij. „Jemi në shtëpinë tonë, s‘kemi ku të shkojmë.“ Dhe, me të vërtetë, doli ashtu si tha kreu i shtëpisë; Jasharët e pritën luftën në shtëpi. Adem Demaçi ishte në lidhje me Jasharët. Ai e merrte me mend se ç‘do të ngjante, ndaj dhe i tha Adem Jasharit se duhet ta dish që këto dy rrethimet e tjera s‘janë bërë kot, herën e tretë do t‘ju vrasin, kështu që duhet ta dini se qëndrimi në shtëpi këtë herë do të interpretohet nga sulmuesi si shpallje lufte. Adem Jashari dhe familja e tij e dinte këtë gjë mirë, por ai dhe familja e tij kishin vendosur të qëndronin në shtëpi, pavarësisht sesi do të kuptojej ky akt nga sulmuesi. U vranë edhe familje të tjera shqiptare, madje para tyre, por rrjedhoja politike për vendin nuk prodhuan, kurse flijimi i Jasharëve i shërbeu luftës sonë çlirimtare, kështu që krimi në vetëvete, i izoluar nga veprimtaria e Adem Jasharit në luftë, nuk mund të vlerësohet drejt. Me rënien e Adem Jasharit dhe të familjes së tij, filloi lufta e vërtetë çlirimtare në Kosovë. Me sa duket, nga pritja ishte lodhur më shumë Serbia sesa shqiptarët, Serbia, e cila ishte nën shpatën e Damokleut ndërkombëtar. Serbia nuk donte asnjë zgjidhje politike që do ta bënte Kosovën subjekt tê fatit të saj politik, dmth. ajo refuzonte çdo lloj autonomie, e cila u vinte nê duar shqiptarëve mjete efektive për luftë të mëtejshme. Modelet serbe, të gjitha ishin pseudodemokratike dhe represive, aspak atraktive për shqiptarët. Pas vrasjes masive të familjes dhe fisit Jashari, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u bë vërtetë ushtri e mirëfilltë, deri atëherë kishte qenë një forcë e vogël guerile. Në këtë funksion e kishte menduar edhe Adem Jashari qëndresën e tij, por ai nuk mund ta parashihte solidaritetin e masës shqiptare. Ai e dinte se po luftonte me një ushtri me arsenal të madh e modern armësh, por s‘iu tremb syri. Adem Jashari mund të thuhet se ishte konsekuenë e filozofisë politike të Adem Demaçit, kurse Isa Mustafa, Lumir Abdixhiku e Lulëzim Haziri konsekuenca, ndonëse jo të dëshiruara prej tij, të filozofisë politike të Ibrahim Rugovës. Demaçi dhe Rugova janë pole të ndryshme të një realiteti historik që e donin pavarësinë e Kosovës në mënyra të ndryshme. Pa projektin e çlirimit të Kosovës ata nuk do të kishin ekzistuar dhe pa shtetin e Kosovëd nuk do të ekzistojnë. Vetëm se Demaçi nuk besonte aspak në mundësinë e lirisë pa luftë, kurse dr. Rugova, dyshonte shumë në ndërhyrjen nga jashtë, edhepse atë e kërkonte dhe i ishte premtuar. Adem Demaçi poashtu besonte në mundësinë e një lufte të gjatë e rraskapitëse, por ushte i bindur se bashkësia ndërkombëtare në një. moment do të ndërhynte, edhepse ai supozonte se konflikti i armatosur do të prodhonte shumë viktima.
Adem Demaçi nuk ishte i pagabueshëm, por deri në fund i qëndroi besnik filozofisë së tij politike të qëndresës aktive. Tani së shpejti vjen 10 vjetori i ndarjes së tij nga jeta, kështu që për ata që e konsiderojnë veten pasardhës të filozofisë së tij politike shtrohet një detyrë e madhe: krijimi i një dokumentari televiziv jetëshkrimor a botimi i një libri të shkurtër me intervistat e tij jetëshkrimore që i janë dhënë mediave shqiptare dhe jo shqiptare. Ai duhet të njihet nga fjalët e tij origjinale, sepse të tjerët nuk mund ta paraqesin aq besueshëm si ai vetëveten. Ai s‘kishte nevojë për hiperbolën se jetëshkrimi i tij ishte i tillë që vetëm si rrëfim realist mund të besohej. Për fat të mirë ai na ka lënë pas një material shumë të pasur. Thjesht kërkohet një aftësi profesionale për përdorimin e tyre adekuat.
Demaçi s‘ishte dogmat dhe as një figurë e tillë që mund të demonizohet në manirin dostojevskian, por një njeri prej të cilit mund të mësojmë shumë ne që jemi gjallë. Por për paraqitjen e një filmi që e motivon brezin e ri kërkohet shkathësi profesionale. Disa, në funksion të kujtesës janë përpjekur ta rrëgjojnë në një personalitet provincial. Jo, për këtë lloj kujtese s’ka aspak nevojë ai. Megjithatë, një paraqitje e tillë më shumë se për të flet për ne. Me jetëshkrimin dhe mendësinë e tij, ai s‘ishte i tillë. Ai nuk qëndronte në periferinë e gjërave, por në qendrën e tyre. Ne, të gjallët, edhe mund ta harrojmë atë, sepse gjithçka është në dorën tonë, të këtij brezi, por atë nuk mund ta harrojmë pa e harruar lirinë tonë kolektive, pa e dëmtuar vetëveten. Harresa në këtë rast do të lidhej me fatin tonë politik.
5.
Rëndësia e një personaliteti historik matet
me kujtesën kolektive pas shuatjes së tij. Vetëm pas ikjes së tij fizike njihen dimensionet e vërteta të një personaliteti. Kështu ka qenë dhe kështu do të mbetet gjithmonë. Adem Demaçi ishte një zjarr i madh që e ndezi në zemrën e një voglushi një nënë shqiptare që ruajt deri në fund të jetës së saj përfytyrimin për skenat e vrasjes së t’et. Ai i dha identitetit tonë historik një dimension real me jetëshkrimin e tij. Më madhështorja këtu qëndron në fatin se gjithçka bëri Adem Demaçi e bëri me bekimin e nënës së tij. Ai edhe kur nuk jetonte më nëna e tij nuk tha asgjë që nuk mund ta bënte dhe që nuk e bëri. Romani i tij „Libri i Vet Mohimit“ ndonjëherė u lexua si një libër i shkëputur nga jetëshkrimi i tij personal dhe nga ky këndvshtrim për njëfarë kohe u keqinterpretua si një formë e pacifizmit inaktiv, gjë që si filozofi politike u refuzua sepse ky lloj i pacifizmit po e çonte shqiptarin në greminën e tij kapitullese. Vërtet nuk duhej pranuar fantazia politike aventureske në një kohë kur përmasat reale të pranimit të realiteti politik shtypës ishin jashtëzakonisht dëshpruese, por as të shkëputur nga fakti se kush ishte autori. Beogradi politik, si duket, gjithçka e interpretonte si efektivitet të politikës së tij represive. Disa serbë duhet të kenë menduar, ja, më në fund, e shtruam edhe këtë rebel. Por pacifizmi i Adem Demaçit, siç doli, ishte ndryshe, i kalkuluar esull , ai ishte një shans për politikën serbe, për humanizmin e saj. Demaçi e dinte se ruajtja e raporteve të skllavërisë për një kohë të gjatë ishte një iluzion i pastër. Për ta kuptuar këtë të vërtetë në Beograd e shkroi këtë libër, të cilin agjenturat e përkthyen për nevojat e tyre, por s’e morën seriozisht dhe, kryesorja, këtë libër e përdorën vetëm për vete, si material pune, pa ia ofruar publikut të gjerë. Adem Demaçi e përdori letërsinë si një mjet të civilizuar për të përcjellë një mesazh humanist. Ndoshta ai kështu donte ta thyente modelin e vjetër propagandistik që i paraqiste shqiptarët para serbëve si qenie primitive të etshme për gjak të pafajshëm serb. Por një politikë e ndërtuar mbi mllefin dhe urrejtjen s’e regjistroi këtë ofertë. Demaçi duhej marrë seriozisht. Ai s’ishte një shfaqje provinciale, por botërore e humanizmit politik. Fakti që Beogradi s’e interpretoi këtë ofertë të tij sinqerisht apo, që të jemi i saktë, e mori si një fakt të lodhjes në politikën qëndrestare është një çështje më vete, me të cilën do të duhej të merreshin hulumtuesit e kësaj periudhe, por ekzistenca e tij s’mund të mohohet. Pati shumë përpjekje perfide agjenturore nga Beogradi që ta ndikonin qëndrimin e tij të paepur politik. Por askush nuk mundi ta blinte shpirtin, heshtjen e tij. Ai mbeti kantian i pa lëkundur në kërkesën për çlirimin e popullit të tij. Liria e popullit shqiptar ishte për të e barazvlefshme me imperativin kategorik. Me të vërtetë për Demaçin mund të përdoret metafora e titanit të paepur. Jetëshkrimi i tij mund të fillonte me vargun e parë të dramës së Johan Volfgang fon Gëtes (Johan Wolfgang von Goethe) „Në fillim ishte veprimi.“ (Am Anfang war der Tat.) Në fakt asgjë e madhe nuk ndodh pa kaluar në mendjen e tij, në fillim ishte gjithmonë fjala, pikërisht ashtu siç thuhet në Bibël, por fjala pa veprim s’ishte gjë në sytë e tij. As në sytë e shqiptarëve të tjerë, me të cilët ai e ndryshoi rrjedhën e historisë. Adem Demaçi e dinte këtë gjë dhe andaj i tregoi botës dhe atyre që e ndiqnin politikisht se për idetë e tij ai ishte në gjendje të jipte gjithçka, edhe jetën, se fjalët e tij s’ishin si fjalët e të tjerëve. Nazife Demaçi i dha botës shqiptare një hero që do të kujtohet deri në fund të botës. Biri i saj e bëri të pavdekshme edhe këtë grua të vobektë që hoqi të zitë e ullirit si bejushë me dy fėmijë të vegjël dhe më vonë kur u rritën ata, por kurrë s’u lëkund, gjithmonë mendoi dhe jetoi për Nënën Shqipëri, pa marë kurrë asgjë prej saj. Ajo ndoshta pati mirënjohjen e atyre që e njohën, por jo mirënjohjen e një populli të tërë, por përsëri nuk hoqi dorë kurrë nga ideja fisnike të cilën e mbrojti i biri i saj para gjykatësve dhe në burgjet e tij. Adem Demaçi ishte mishërim i idealit poetik për njeriun e papërkulshëm para çdo vështirësie. Ai i fshiu kufijtë që ekzistonin mes ëndrrës dhe realitetit, Këtë gjë si individ nuk e bëri askush para e prapa tij. Thjesht ky kontribut i tij, e bën atë të pavdekshëm.
Në poezinë shqiptare gjen vargje të tilla se nuk je poet, po s‘vdiçe për secilën fjalë, për secilin varg. Adem Demaçi s’i shkroi këto vargje, por i jetoi, ndaj dhe liria kombëtare shqiptare përmes tij mori një trajtë reale dhe nuk mbeti thjesht një mendim, ide apo dëshirë fisnike. Ka shumë shqiptarë gjatë historisë që njohim që vuajtën e dhanë shumë për lirinë e Shqipërisë, por mund të themi se rasti Demaçi ka diçks singulare. Me vendosmërinë e tij, ai i tregoi botës se shqiptarët jo vettëm e ëndërrojnë lirinë, por janë të gatshëm edhe t’i bëjnë të gjitha flijimet për të. Vdekja e tij ishte e dozuar, e ngadaltë, ishte planifikuar nga gjenitë malinjë për ta lodhur e mposhtur përmes kohës. Ajo filloi në vitin 1958 dhe përfundoi në gusht të vitit 2018. Janë plotë 60 vjet në mes. Vetëm një titan mund ta bart një barrë të tillë. i Ai pranoi të flijohet, por ky flijim u ndoq nga një ushtri e madhe pas. Me qëndresën e tij, ai i zgjoi të tjerët nga kllapia.
Shkruar nga: Imer Lladrovci



