E gjithë vëmendja e shqiptarëve nga e gjithë bota sontë është në stadiumin “Dubocica” në Leskovc.
Aty, me fillim nga ora 20:45, Shqipëria do të sfidohet nga Serbia, me ndeshjen që do të luhet në kuadër të eliminatoreve të Kampionatit Botëror të vitit 2026.
Kjo është një përballje që zgjon interesimin e të gjithëve, jo vetëm shqiptarëve, shkaku i historisë që ka.
Megjithatë, edhe pse ky takim bën bujë të madhe jashtë stadiumit, në stadium sonte pritet një atmosferë e qetë, shkaku i disa vendimeve të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic.
Së pari ishte zhvendosja nga Beogradi në Leskovc, e së dyti ishte vendimi që mos të shiten bileta për këtë ndeshje, duke bërë që pjesëmarrësit në tribuna të jenë të ‘përzgjedhur’.
Pavarësisht se stadiumi ka mbi 8 mijë ulëse, për përballjen e sontme do të jenë të hapura vetëm 6500 ulëse.
Për ndeshjen e sontme, Shqipëria mund të llogaris në të gjithë lojtarët e saj, përveç Adrion Pajazitit dhe Ardian Ismajlit, të cilët janë të lënduar. Nazmi Gripshi u ftua për të mbuluar një boshllëk në listë.
Në anën tjetër, Serbia do të jetë pa Nikola Milenkovicin, i suspenduar dhe Sasa Lukic, i lënduar.
Shqipëria dhe Serbia janë përballur një herë gjatë këtyre kualifikimeve, me ndeshjen që u luajt në Tiranë më 7 qershor.
Ndeshja ishte mbyllur pa gola, 0-0, pasi Rey Manaj kishte dështuar nga penalltia në fund të pjesës së parë.
Më herët, Shqipëria e Serbia ishin përballur në kualifikimet e EURO 2016.
Shqipëria fitonte ndeshjen e parë në Beograd, në tavolinë, pas vendimit të CAS-it, pasi lojtarët shqiptarë dhe stafi i trajnerëve të kombëtares ishin sulmuar.
Megjithatë, ndeshjen e dytë, e luajtur në Elbasan, e fitonte Serbia me shifrat prej 2-0.