spot_img

CLINTON – RUGOVA


(29 maj 1998 – Ibrahim Rugova, i shoqëruar nga Bujar Bukoshi dhe Veton Surroi, pritet nga Presidenti Bill Clinton. Fragment nga biseda:)

PRESIDENTI CLINTON: Unë do të dëshiroja të dija edhe mendimin tuaj rreth konceptit të Shqipërisë për problemin për të cilin flasim [për problemin e Kosovës]. Ne mendojmë se është koncept modern dhe, si të tillë, e përkrahim.

PRESIDENTI RUGOVA: Në Kosovë, qeveria e tashme shqiptare, flas në mesin e popullit të Kosovës, nuk gëzon respekt. Janë shumë shkaqe, por populli mendon se ajo bën punë të pandershme, pikërisht në krahun serb. Ndërsa e vërteta, për mendimin tonë, është krejt tjetër.

PRESIDENTI CLINTON: Si është tjetër? Pra, është në krahun e kundërt me qëndrimin serb dhe unë këtë e gjej të mirë!

PRESIDENTI RUGOVA: Qeveria e Shqipërisë, pra kjo qeveri që është sot, mendoj unë, por edhe shokët e mi [Bujar Bukoshi dhe Veton Surroi] kështu mendojnë, është krejtësisht në krahun e grupeve të armatosura. Ajo mund të jetë frymëzuese e tyre, ndoshta edhe organizatore.

PRESIDENTI CLINTON: Pse e keni këtë mendim? Të dhënat tona dhe burime të tjera nuk e tregojnë këtë.

PRESIDENTI RUGOVA: Ka lidhje kohore mes gjithçkaje që po ndodh sot në Kosovë dhe Shqipëri. Kur në pushtetin shqiptar ishin forcat e djathta [Sali Berisha], me të cilën ne kemi bashkëpunuar që nga fillimi, edhe në Kosovë kishte gjendje tjetër. Grupet e armatosura në Kosovë përgjithësisht kanë pikëpamje të majta; pra janë nga ata që kanë pasur ide të majta, drejtohen nga njerëz që edhe sot e kësaj dite kanë nostalgji për ish-figura të njohura komuniste, si për shembull për Enver Hoxhën, i cili ka qenë diktator i madh komunist. Tani ka një lidhje, sepse grupet e armatosura shpërthyen pikërisht, dhe në shumicë, kur socialistët erdhën në pushtet.

PRESIDENTI CLINTON: Nuk ka shkaqe të tjera të gjendjes?

PRESIDENTI RUGOVA: Ka edhe të tjera, por qeveria e Shqipërisë, zoti Nano, lojën e ka jo të pastër. Prandaj edhe marrëdhëniet tona me të, marrëdhëniet e mia me të, janë të ngrira. Nga Shqipëria janë futur armë dhe mjete të tjera. Futet njerëz, futet gjithçka. Kjo e radikalizoi gjendjen dhe mund të shkojë edhe më tej drejt eskalimit.

PRESIDENTI CLINTON: Ne kemi mendimin se në Shqipëri po punohet mirë për problemin e Kosovës. Ata nuk po ndezin nga një zjarr i vogël një zjarr të madh.

KRYEMINISTRI BUKOSHI [ndërhyn]: Nuk duhet pasur besim të madh te qeveria shqiptare. Unë kam pasur takime me ta menjëherë pas takimit të Nanos me Miloševiqin në Kretë, takim që është pritur me indinjatë në Kosovë.

PRESIDENTI CLINTON [ndërpret Bukoshin]: Mendimi im është se kanë bërë mirë që janë takuar. Të jetosh në Ballkan dhe të mos flasësh me njëri-tjetrin, qoftë edhe për diçka të zakonshme, është kundër rrjedhave. Vlerat demokratike nuk mbrohen me izolim. Edhe mendimi civilizues nuk ecën me ngrirje.

KRYEMINISTRI BUKOSHI: Unë kam pasur takim me ta pas takimit në Kretë. Kreta ishte alibi për Nanon, për faktin se ai ka lidhje të forta, të hershme, me ata që po realizojnë luftën në Kosovë. Lidhjet e tij datojnë prej disa vitesh.


ARTIKUJ TË LIDHUR
- Advertisment -spot_img

U lexua shpesh

- Advertisment -spot_img