
🖊️ Shkruan: Imer Xhemail Lladrovci
Siç dihet, prej shumë vitesh në Burgun e Hagës qëndrojnë shumë shqiptarë që luftuan në rradhët e UÇK-së. Nga shumė vende tė Perëndimit, mërgimtarët tanë u mblodhën në Hagë për të t’i thënë botës se teatri i saj politik është. me të vërtetë absurd. Mjediset e burgut ku po mbahen luftëtarët e dikurshëm nuk ndryshojnë shumë nga burgjet e tanishme serbe: sigurisht nuk janë aq të errëta si qelitë serbe, por nuk mungon trajtimi i keq i të burgosurëve, sado që ka edhe diçka holandeze në këtë izolim, ku, për fat të keq, kudo mbishkrimet janë në një gjuhë që nuk është gjuha kryesore e Republikës së Kosovës. Ndryshimet nuk janë aq të mëdha, siç mendojnë shumë njerëz, megjithatë, ato ekzistojnë. Dikush do të mund të thoshte, të ishin të paktën këto mbishkrime në anglisht, kur s’bëka të jenë në gjuhën shqipe. Edhe me këtë paradoks duhet të jetojmë!!! Përshtypja e përgjithshme është se Serbia po përkëdhelet, kurse Kosova po trajtohet me njëfarë nënçmimi paradoksal, me njëfarë përbuzje institucionale. Ndoshta dikujt nuk i pëlqen ky konstatim, por faktet janë fakte dhe nuk lejojnë përfundime të tjera. Megjithatë, luftëtarët e dikurshëm mund t‘u bëjnë ballë edhe këtyre kushteve të këqija. Ata janë mësuar me të gjitha, me shiun dhe borën, me të ftohtin dhe acarim dhe me qiellin me raketa. Por të gjitha i përballuan. Ishte një kohë tjetër ajo, por ata kurrë nuk kishin menduar se në mes Europës do të fyheshin në këtë farë mënyrë.
Çlirimi i Kosovës nga forcat ushtarake dhe policore serbe, me sa duket, nuk është ka marrë fund përgjithmonë, sepse Serbia nuk ka ndêrmend ta njohë përgjegjësinë e saj historike për luftën dhe për politikën e saj represive para saj. Beogradi dhe elita serbe, politike, intelektuale dhe kishtare, bëri gjithçka që mundi për ta mbajtur Kosovën brenda Serbisë, por nuk mundi. Tani bën përpjekje ta njollosë luftën tonë përmes vënjes në lëvizje ingranazheve të shtetit, dmth. përmes intrigave. Para do ditësh trupi gjykues pranoi si dëshmitarë edhe punëtorë të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, e cila e ka përgatitur një pjesë të aktakuzës. Nuk e di sesi mund të paraqiten këta njerëz në cilësinë e dëshmitarëve. Gjithçka duket qartë. Serbia, me intrigat e saj, po përpiqet ta ndërrojë kahun e historisë. A do të mundet, nuk e di. Deri më tani ajo nuk ka dështuar gjithkund në ndërmarrjet e saj. Por ajo gëzon njëfarë mbështetje të fshehtë politike, ndaj dhe sulmon parreshtur. Serbia nuk është e vetmuar, por, siç u pa sot, të vetmuar nuk janë as të burgosurit tanë të Hagës. Në fakt Aleksandar Vuçiqi (Aleksandar Vučić) dhe kamarilla e tij shërbehen me shpifje të ndryshme dhe fiksione, kurse në anën e luftëtarëve të UÇK-së janë faktet dhe vetëm faktet. Dhe, e drejta morale, pa të cilën nuk bëhet asnjë luftë çlirimtare. Ata, luftëtarët janë mbajtur mirë deri më sot. Ata që e bën historinë tonë kombëtare me luftën e tyre dje, po e bëjnë sërisht historinë tonë me qëndrimin e tyre stoik. Këta të burgosurë e dinë vlerën e lirisë! Tani, pas kësaj demonstrate, kanë arsye edhe më të forta për të qëndruar burrnisht. Mërgata u mblodh për t’i thënë botës se lufta jonë ishte e domosdoshme. Jo pse ne e donim atë, luftën, por pse ata që na kishin pushtuar dhe na sundonin me dorë të hekurtë nuk donin të hiqnin dorë nga shprehitë e tyre kriminale. Ali Ahmeti ka të drejtë kur thotë se „liria jonë nuk gjykohet!“
Serbia e mbajti Kosovën rreth një shekull nën sundimin e saj. Këtë sundim që na paraqitet në disa pamje në përfytyrimin popullor shqiptar si Serbia e Parë dhe Serbia e Dytë, Serbia e quan çlirim, kurse shqiptarët pushtim, ndaj dhe ata luftuan fillimisht politikisht dhe në disa vitet e fundit edhe me armë përmes UÇK-së. Në fakt pushtimi serb qysh në krye të herës, në fillim të shekullit XX u prit me armë. Shqiptarët nuk donin ta këmbenin pushtimin turk me pushtimin serb. Serbët e dinë mirë këtë gjë, nga penat serbe të Dimitrije Tucoviqit e Kosta Novakoviqit dhe nga ato të gazetarëve të tjerë europianë si Leo Trocki ( Leo Trotzki) e Leo Frojndlih (Leo Freundlich). Në fakt ata nuk kishin nevojë për përceptimin e të huajve, pasiqë e dininë seç bënin me duart e tyre. Për fatin tonë të keq, në këtë luftë nuk u lejua pjesëmarrja e Mirosllav Kërlezhës (Miroslav Krleža). Atë e pengoi Ushtria e Serbisë me arsyetimin se kroati i shquar ishte njeri i dyshimtë , sepse qe shpallur si spiun i austriakëve. Nëse Kërlezha do t’i shihte me sytë e tij krimet e të ashtuquajturit ushtar heroik serb mbi shqiptarët, ai do t’na kishte lënë shënime të rëndësishme dhe ne sot do të dinim detaje të tjera nga barbaria serbe.
Në Burgun e Hagës janë shumë shqiptarë. Në Katërshen e Madhe bëjnë pjesë: ish presidenti i Kosovës, zoti Hashim Thaçi, dy ish kryetarët e Kuvendit të Kosovës , zoti Jakup Krasniqi dhe zoti Kadri Veseli dhe ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, zoti Rexhep Selimi. Këta jo vetëm që pas shpalljes së pavarësisë ushtruan detyra të larta në shtetin e Kosovës, por edhe gjatë luftës çlirimtare dhe para vitit 2008 patën funksione të rëndësishme shtetërore dhe politike. Këtu po përmendin i vetëm te një fakt domethënës, zoti Hashim Thaçi qe kryetari i Delegacionit Shqiptar në Konferencën e Rambujesë (Ramouillet). Vetëm ky fakt tregon se personat e nxjerrë para bankës së të akuzuarëve ishin personalitete politike e ushtarake me ndikim të madh publik. Thuhet në vazhdimësi se Gjykata Speciale nuk e po e gjykon veprimtarinë çlirimtare të UÇK-së, por krimet individuale të të akuzuarëve. Realiteti flet një gjuhë tjetër. Shumica e shqiptarëve mendojnë se këta njerëz u çuan në Hagë pikërisht për faktin se guxuan të luftojnë për çlirimin e vendit. Gjykata Speciale u themelua pas një Rezolute të Këshillit të Europës me kërkesë të senatorit zviceran, tashmë të ndjerë, Dik Marti (Dick Marty). Marti pati pretenduar se udhëheqësit e UÇK-së që tani ndodhen në Hagë ishin të involvuar në tregëtinë e organeve të robërve serbë. Kjo akuzë qe një shpifje e pastër, që në Kosovë s‘e besoi askush. Madje si shpikje me natyrë psikiatrike e pati shpallur edhe administratori i parë ndërkombëtar i Kosovës, Bernar Kushner (Bernard Kouchner), para gazetarëve në Graçanicë. Në Gjykatën Speciale kjo akuzë ra shumë shpejtë dhe pastaj vetë senatori Dik Marti qe ankuar se shërbimet e fshehta serbe po e kërcënonin me vrasje. Dik Marti i pati bërë thirrje shtetit zviceran që ta mbrojë atë dhe familjen e tij nga ky kërcënim. Pas disa muajsh ai vdiç, akuzat e tij s‘u vërtetuan kurrë, por udhëheqësit e UÇK-së dhe të shtetit të Kosovës mbetën në burg, tashmë me akuza të tjera. Shtëpia e Verdhë hyri në analet e gjyqësisë ndërkombëtare si një fiksion i tmerrshëm, si një akuzë e konstruktuar në zyrat e fshehta në Beograd.
Ka pothuajse pesë vjet që liderët kosovarë mbahen në burg, në mjediset e errëta të Hagës, me akuza të ndryshme. Gjyqi i tyre filloi vite të tëra pas arrestimit të tyre. Thuhet se u bënë hetime shumë të gjata në kohën që ishin në burg, por edhe para arrestimit të tyre.
Gjykata dhe Prokuroria Speciale qenë themeluar me një vendin të posaçëm të Kuvendit të Kosovës. Në pikëpamje formale kjo gjykatë edhepse në Hagë dhe me personel tërësisht jokosovar është pjesë përbërëse e sistemit gjyqësor të Republikës së Kosovës. Nasim Haradinaj që u lirua këtë vit nga Burgu i Hagës flet për një institucion që nuk përkon fare me përfytyrimin e përgjithshëm. Ai thotë se gjithçka në hapësirën e burgut është e shenjuar në serbisht, kështu që në fakt nuk mund të thuhet se ky institucion ndëshkimor nuk ngjan me një institucion të shtetit të Kosovës. Nasim Haradinaj si i ri e ka përjetuar edhe burgun serb, ndaj dhe mund tê bëjë krahasime me kompetencë. Pastaj edhe sjellja e gardianëve nuk të jep përshtypjen se kemi të bëjmë me një burg europian. Të burgosurit shqiptarë trajtohen keq. Pak a shumë e njëjta gjë po ndodh edhe në mjediset e sallës gjyqësore. Nuk kemi pasur mundësi të krijojmë bindjen se bëhet fjalë për një proces gjyqësor që vepron sipas standardeve europiane. Dëshmitari i rrejshëm, i shantazhuar dhe i joshur me beneficione tė ndryshme është pjesë e gjykimit, gjë që çdo jurist kosovar e trondit, sepse një njeri i tillë kurrë s‘do të duhej ta luajë këtë rol. Publiku kosovar do të kishte dashur një gjykim fer dhe gjetjen e protagonistëve të krimeve, por kurrësesi provim të fajit me këso stadarde të dyshimta. Ekziston një bindje e përgjithshme se këtu bëhet djalë më shumë për një politikë të caktuar sesa për drejtësi.
Ushtria jonë që luftoi për çlirim, nuk ishte një ushtri e rregulltë. Zingjiri komandues nuk mund të funksiononte si në një ushtri të rregulltë. Këtë gjë e kanë thënë edhe në Gjykatën Specisle në Hagë oficerë profesionistë si Fadil Maloku, të cilët kur ishin aktivë si oficerë nuk dinin si të silleshin me ushtarë të tillë që s’i zbatonin urdhërat në mënyrë automatike. Se në ushtri urdhëri përbën qendrën e çdo gjëje. Në luftrat çlirimtare ka situata të rënda dhe të paqarta ku përgjegjësia nuk ka një kierarki të definuar. Urdhëri është dhe nuk është urdhër. Diçka që në pikëpamje ushtarake nuk është i definueshëm lehtë si entitet, juridiksht nuk mund të ketë kontura të qarta. Vetëm politikisht ky entitet mund të fitojë qartësinë e dëshiruar, por kurrësesi juridikisht. Ne natyrisht mund t‘i thjeshtojmë dhe idealizojmë situatat, por kjo gjë nuk i lejohet një drejtësie që vepron me standarde të larta juridike.
Gazetari i BBC-së Tim Xhudah (Jim Judah) thotë se „Ushtria Çlirimtare e Kosovës duhet të renditet si njëra nga lëvizjet më të suksesshme guerile në historinë moderne. Brenda nëntëmbëdhjetë muajsh nga dalja e saj e parë publike, ajo i përmbushi qëllimet e saj-pasi arriti të nënkotraktojë aleancën më të fuqishme ushtarake për qëllimet e luftës së saj. Në fund të fundit nuk ka rëndësi si u dëbuan serbët nga Kosova. Ajo që ka rëndësi është se ata kanë qenë në Kosovë-dhe, nëse nuk do të kishte qenë UÇK-ja, ata do të ishin ende aty.“ Ali Ahmeti i referohet drejtpërsëdrejti këtij tubimi protestues kur thotë se „lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë, çlirimtare dhe e mbështetur nga bota demokratike. Drejtësia për çlirimtarët nuk mund të ndërtohet mbi akuza politike dhe dëshmi të fabrikuara nga Serbia dhe Rusia. Sot, në Sheveningen të Hagës, bashkë me mërgimtarë dhe ish-pjesëtarë të UÇK-së, dëshmuam edhe një herë se liria jonë nuk gjykohet!“
Ish ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosh (Robert Bosch), iu drejtua demonstruesëve shqiptarë me fjalët se është „një ofendim i madh për NATO-n“, nëse e konsiderojmë „UÇK-më një organizatë kriminale“. Në fakt pikërisht këtë gjë duan ta arrijnë kritikët e NATO-së në arenën ndërkombėtare. Duke e paraqitur si një organizëm kriminal UÇK-në , synohet të goditet NATO-ja. Si ambasador ai duhet të bënte siç e porosiste Ministria e Jashtme e Holandës, por Z. Bosh ka thënë se nuk i pėlqente aspak ideje për themelimin e Gjykatës Speciale.
Disa javë më parë edhe në Prishtinë qe mbajtur në protestë e madhe. Ish hetuesja e Tribunalit të Hagës, Nevenka Tromp atëherë pati thënë se „drejtësia e vonuar, është drejtësi e mohuar. Kjo s’është parullë, por realitet i dhimbshëm me të cilin ju përballeni prej vitesh. Që drejtësia të pranohet ajo duhet të ketë legjitimitet. Në vitin 2020 udhëheqësit tuaj të kohës së luftës shkuan vullnetarisht në Hagë duke besuar si ju që drejtësia do të zbatohej shpejt dhe në mënyrë të drejt. Ata u siguruan që ky proces do të ishte transparent dhe i paanshëm. Dhe megjithatë ja ku jemi, 5 vjet me vonë ata janë ende në paraburgim, dhe ende nuk ka një vendim gjyqësor. Besimi i tyre në një drejtësi të shpejtë është thyer nga realitet i vonesave, dënimeve të ashpra dhe shkallës, dispropercionale të shpalljeve fajtor.“
Njëri nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Ali Ahmeti në fillim të gushtit të sivjemë në Prishtinë pati thënë se “UÇK-ja është e përmbajtur në ligjet e luftës. Është e përkushtuar për mbrojtjen e komuniteteve nga gjenocidi, qëllimi i UÇK-së ka qenë çlirimtar.“
Mund të themi se tubimi protestues në Hagë e nënevizoi edhe një herë këtë mesazh.