spot_img

Osman Berisha “Gllanasella: Shkaba- Monografi”, Lena

Prishtinë 2025

🖊️ Imer Xhemail Lladrovci

Një monografi shumë e mirë për fshatin Shkabë të Drenasit

I.
Monografia e Osman Berishës me titullin „Gllanasella: Shkaba-Monografi“ përbën një projekt shkencor të realizuar mirë. Osman Berisha, me këtë libër, i ka ngritur një përmendore vendlindjes së tij. Emri i ri shqiptar i katundit me banorë shqiptarë nuk shpreh arrogancë, por korrigjim mendësie. Ishin arsyet politike që bën që ky vendbanim të quhej kështu. Dhe tani është mendësia e re politike që s‘i duron dot këto mbeturina ideologjike poshtëruese. Edhe një vëzhguesi të painteresuar i bien në sy emërvendet e shumëta serbe në Drenicë, në një zonë ku më së paku ishte i pranishëm elementi etnik serb. Sot ekziston një mbrojtje arbitrare e kësaj toponimie, por janë banorët vendës që e njohin mirë këtë politikë të mëhershme kolonizuese. Janë pikërisht ata që duhet të insistojnë në emra shqiptarë, sepse që kur mbahet mend këto katunde kishin vetëm banorë shqiptarë.

Lënda shumë e pasur dhe tejet interesante e librit është shpërndarë në tetë kapituj. Librit i prin fjala e redaktorit Bedri Tahiri, historian, dhe parathënia e vetë autorit. Redaktori vë në dukje faktin se libri „është konceptuar dhe sistemuar“ shkëlqyer, „me një rrjedhë të mirë kronologjike e një koherencë logjike“ atij nuk mund t’i bëhet pothuajse asnjë vërejtje. Duket që autori ka punuar me përkushtim të madh në hulumtimim e materialit empirik dhe të literaturës dhe, pastaj, në mbarshtrimin e tij në libër. Duke qenë nga ky mjedis, ai ka njohuri të themelta për jetën dhe banorët në këtë katund. Tahiri ka plotësisht të drejtë kur shkruan se „[p]asqyrimi i fatit të këtij vendbanimi historik, reflekton mbi fatin e të gjitha trojeve shqiptare që përjetuan ato zezona çmendësie gjatë historisë sonë mijëravjeçare.“ Mendoj se në këto rreshtat e fundit ka një vërtetë të madhe që vlen si përgjithësim për historinë tonë kombëtare. Kjo monografi duhet të lexohet edhe nga shqiptarë të tjerë jashtë Drenicës, sepse fshati Shkaba është vendlindja e luftëtarëve kombëtarë si Lutë Laholli e Fehmi Lladrovci që luftuan dhe vdiçën për Shqipërinë.Jo për Shqipërinë londineze, por për Shqipërinë, kufijtë e të cilës, siç më pati thënë një gjerman në vitin 1995, nuk dihen. Shqipëria është atdheu ynë që u rrudhë territorialisht gjatë historisë.

Gjeografia, historia, etnopsikologjia, etnokultura, folklori e
traditat shqiptare të Shkabës janë vënë mirë në dukje në libër dhe janë trajtuar me një metodë shkencore që meriton të lavdërohet në mënyrë të veçantë. Në fshat gjendet një lokalitet që quhet Gradina. Ndoshta i vetmi mikrotoponim në gjuhën serbe brenda fshatit. Ky emërvendi e shenjon lashtësinë e këtij katundi, ndoshta pikërisht kjo ka qenë atsyeja fillestare që ai ka këtë emër. Kjo zonë arkeologjike ku herë pas here janë gjetur objekte të vjetra kurrë nuk është eksploruar nga arkeologë profesionistë, kurse një studim joarkeologjik i saj në gjendjen e tanishme të arealit nuk do të ishte rezultativ. Në të ardhmen besoj se do të bëhen kërkime arkeologjike. Rezultatet nuk mund të paragjykohen, por ato mund të jenë me rëndësi për gjithë vendin.

Shkaba ka një histori të trazuar dhe jashtëzakonisht tragjike. Historia e lidh këtë vendbanim me ngjarje të mëdha botërore. Nga ky fshat pati njerëz që morën pjesë në luftërat e Kaukazit e të Greqisë, pjesëmarrës në në luftën e Shaban Polluzhës e Mehmet Gradicës, partizanë që u molizuan dhe u dërguan në Tivar, ku panë me sytë e tyre Masakrën e madhe të Tivarit, të burgosurë politikë nëpër shumë burgje të Jugosllavisë, edhe të Golli Otokut, etj. etj. Dhe në fund ky fshat ishte një fushëbetejë e madhe mes UÇK-së dhe ushtrisë së Serbisë. Dihet gjithashtu se në kohën e sundimit turk 13 trima nga Shkaba morën pjesë në luftën kundër Jashar Pashës, kurse kur u dëbua kajmekami, me 14 janar 1891, nga ky fshat luftuan 15 banorë të tij. Emri sllav Gllanasellë na sygjeron një histori shumë më të shkurtër të vendbanimit seç është ajo në të vërtetë. Emri i fshatit etimologjikisht mund të shpjegohet vetëm në serbisht si fshat i njerëzve të uritur. Në krisobulat e Stefan Nemanjës haset me emrin Gladno Sello, por historianët nuk kanë mundur të gjejnë asnjëherë një dëshmi që do ta arsyetonte këtë emër, pasiqë fshati nuk ka njohur në historinë e tij, për aq sa mbajnë mend banorët, kurrë një uri të madhe. Shpjegimi hamendësues i recenzentit të librit, prof. Hamdi Thaçit se serbët ia vunë këtë emër fshatit jo për ndonjë arsye tjetër, por për ndonjë ngjashmëri fonetike me emrin parak josllav të tij, ngjan si shpjegim bindës dhe i arsyeshëm. Ky emër parak, me kalimin e kohës u harrua dhe mbeti në kujtesë vetëm emri i shqiptarizuar Gllanasellë. Pas luftës pati ndryshime voluntariste të disa toponimeve. Mirëpo emri Shkabë nuk mund të diskualifikohet si shpikje voluntariste, sepse dihet që ai është i motivuar me operacione konkrete nga lufta çlirimtare. Lexuesi do të bindet se ndërrimi i emrit të katundit ka një logjikë të fortë çlirimtare. Në një vend ku gjithë banorët janë dhe kanë qenë shqiptarë, ruajtja e emrit serb të tij do të ishte vazhdim vullnetar i skllavërisë shpirtërore. Kush do të donte të ruante atë histori poshtërimi?! Mbajtja e një emri që na lidh me një kohë të ligë me të drejtë mund të interpretohet si një përpjekje perfide për të ruajtur gjurmët e kolonializmit serb. Kjo zonë ka qenë sunduar nga tre perandori të mëdha: Perandoria Romake, Perandoria Bizantine dhe Perandoria Osmane. Në libër nuk thuhet se janë bërë hulumtime në arkivat e tyre që ndoshta do të na jipnin ndonjë të dhënë, sado të vogël, për emrin parasllav. Vetë prania e popullsisë sllave nuk është e dëshmueshme përmes kujtesës së banorëve të këtij fshati. Një autor shqiptar që ka shkruar për disa vendbanime të tjera shqiptare ka vënë re një gjë interesante pikërisht për ato vendbanime me emra sllavë: mungesën e varreve serbe. Mundësi të reja studimore që do të ndihmonin ndriçimin objektiv të të kaluarën janë arkeologjia dhe gjenetika si arkeogjenetikë dhe si gjenetikë e populacionit. Sllavët, si na mëson historiografia, u paraqitën në këto anë në Mesjetë, por më herët s‘pati të tillë, çka do të thotë shumë vonë kur marrim parasysh pohimet e autorit se në këto anë njerëzit jetonin qysh në shekullin XIII para Krishtit, pra nja 20 shekuj para sllavëve të dyndur. Toponimia sllave ka karakter politik dhe s‘përbën një tregues historik të mirëfilltë. Ardhacakët kudo në botë kanë dy alternativa: ose të shkrihen në popullsinë vendëse, siç ka ndodhur jorrallë, ose t‘i imponohen popullsisë vendëse me strukturat e tyre politike, të cilat e prodhojnë edhe toponiminë në gjuhën e atij që bën politikën. Në Ballkan, me sa duket, ka ndodhur kjo e dyta. Në kohën e car Dushanit( Car Dušan) ka dokumenta arkivore që dëshmojnë se pati një fushatë të egër kundërshqiptare.

Në shekullin e VI pati ndryshime të forta klimatike që u shkaktuan nga shpërthimi i madh i vullkanit Vezuf në Itali në vitin 536. Për disa vite me rradhë klima në këtë pjesë të globit ndryshoi shumë. Vargjet nga epika jonë kreshnike që flasin për „qatë diell që fort po ndrit e pak po nxen“ duhet të jenë nga kjo kohë. Në këto kushte klimatike pa ngrohtësi të madhe të diellit rendimenti i bujqësisë do të boe, kurse sëmundjet infektive do të shtohen. Popujt që qenë në veri të kufijve të Bizantit e shfrytëzuan këtë rrethanë për të depërtuar në territorin e tij ballkanik që ishte zbrazur nga njerëzit për shkak të murtajës. Bakteria yersinia pestis zhduku nga faqja e dheut vendbanime të mëdha, të cilat nuk ditën si të mbrohen nga ky sulm i natyrës. Mjekësia e kohës nuk dinte pothuajse asgjë për këtë sëmundje enigmatike, as për diagnostikimin, as për trajtimin e saj dhe as për rrugët e përhapjes së saj. Njerëzit e e deprimuar edhe mund ta paguanin çmimin e madh të sulmit bakterial, por të paktën të dinin si të ruheshin nga ky mikroorganizëm fatal. Mikrobota s‘ishte atëbotë ende një koncept shkencor. Shkenca nuk e kishte zbuluar ende mikroskopin, ndaj dhe mendja njerëzore nuk e kalonte dot këtë kufi, kufirin midis makro- dhe mikrobotës. Me syrin e thjeshtë nuk perceptoheshin bakteriet, kështu që mungonte në tërësi dija për përhapjen e sëmundjes. Njeriu me sytin e thjeshtë mund vetëm të konstatonte se infeksioni kishte epilog fatal. Shkurt, mikrobota ishte trazuar dhe po bëhej shkaktari i transformimeve të mëdha të makrobotës. Vezufi, edhepse nuk ndodhej në Ballkan, por në Itali, e ndryshoi përgjithmonë historinë e kësaj pjese të botës.Ballkani në këto shndërrime e ndryshoi fytyrën e tij etnike.

II.
Në kapitullin e parë, Osman Berisha na i paraqet faktet kryesore gjeografike. Si pikë orientuese shërben Gradina që përbën një hapësirë arkeologjike ende të pahulumtuar, por që e vërteton supozimin për lashtësinë e këtij vendbanimi. Gradina që në vendbanime të tjera shqiptare quhet gjyteti është një pjesë shumë e vjetër e këtij vendbanimi, sipas të gjitha gjasave e periudhës ilire. Berisha thotë në libër se në këtë pjesë të Kosovës ka dëshmi jete njerëzore që nga shekulli i XIII para Krishtit. Në gjeografinë e fshatit Shkaba (Gllanasellë) përfshihen edhe të dhënat për klimën, bimësinë dhe faunën. Lumi që kalon nëpër fshat. „Nga pakujdesia e banorëve sot lumi është shndërruar në kolektor të mbeturinave dhe ujërave të zeza. […] Është koha e fundit kur jo vetëm banorët, por edhe komuna e Ministria e Mjedisit duhet të mendojnë për rehabilitimin e shtratit të këtij lumi.“( fq. 56). Mendoj se diaspora e këtij fshati në Perëndim do të mund të ndihmonte në këtë drejtim. Ruajtja e lumit përbën një çështje me rëndësi të madhe për bashkësinë e këtij fshati. Dikur në këtë lumë kishte shumë mullinj, që tani ekzistojnë vetëm në faqet e këtij libri dhe në kujtesën e të moshuarëve të paktë.

Në fshat ekzistonin 12 lagje. Dy lagje të tij në ndërkohë janë zhdukur, sepse banorët kanë emigruar. Njerëzit e katundit i përkasin katër fiseve: Berisha, Krasniqi, Thaçi dhe Kelmendi. Një lagje zakonisht banohet nga pjesëtarët e të njejtit fis.

Në kapitullin e dytë flitet për historinë e fshatit. Fillohet me emrin e tij që u gjet në krisobulat e Sfean Nemanjës, pra në shekullin XII si Glladno Sello, dmth. fshati i uritur. Recenzenti i librit, prof. Hamdi Thaçi, supozon se ka ekzistuar një emër parak josllav i katundit dhe serbët për arsye fonetike i kanë dhënë këtë emër. Teprikisht nuk mund të përjashtohet kjo mundësi, por, nëse marrim parasysh faktin që administratorët serbë i shikonin me përbuzje banorët joserbë dhe emri i fshatit fqinj Gllobar e dëshmojnë këtë çasje raciste, atëherë ka fare lehtë mundësi që emërimi të jetë bërë me qëllim poshtërimi. Emra përbuzës për njerëzit njihen në pjesë të tjera të Europës për pjesëtarët e popujve që shiheshin me sy të keq. Shumë hebrenjë kanë mbiemra të tillë përbuzës. Vetë emri Ajnshtajn (Einstein), një gur( Ein Stein)bën pjesë në këta mbiemra. Në arkivat osmane fshatin e gjejmë me këtë emër në Sanxhakun e Vushtrrisë në vitin 1487, atëherë ai kishte vetëm me 4 shtëpi, kurse në vitin 1566 shtohet numri i tyre, bëhen 14 shtëpi. Edhe dr. Muhamet Tërnava në librin e tij „Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI“ e përmend vendbanimin Glladno Sello në defterim e Vilajetit Vëllk të vitit 1455. „Sidoqoftë vendbanimi Shkabë është më i vjetër se 1000 vjet, çka unë mendoj se në të mirë të këtij konstatimi flet e dhëna e toponimeve që lidhen me gërmadhat e kishave parasllave që lenë të kuptoj se banorët vendor ishin shqiptarë të krishterë.“( fq. 64)
shkruan Osman Berisha. Gradina mbetet epiqendra, sepse prania e saj dëshmon se në këto anë jetë kishte që nga muzgu i historisë, dmth. nga anikiteti. Emri i fshatit është serbisht, siç e thamë më parë, mirëpo jo dhe emërvendet e ndryshme në brendësi të katundit. Mikrotoponime të tilla si Lugu i Kishës, Fusha e Priftit, Vorret e Kishës, Kisha e Makreshit, etj. dëshmojnë jo vetëm shqiptarsinë, por edhe besimin fetar të krishterë të banorëve të tij. Në këtë kapitull, Osman Berisha flet edhe për arkitekturën dhe ndryshimet e saj në kohë. Në të kaluarën e largët si material ndërtimor nga fshatarët është përdorur druri, llaçi, thekra dhe rrasat e gurit për çatitë e shtëpive, më vonë këtyre materialeve iu shtua edhe guri, i cili ka pasur një përdorim të tillë edhe më herët, duke qenë se si material ka aftësi të mëdha rezistuese. Hatllat e drurit, të vendosura horizontalisht, ishin në funksionin e stabilizatorit në rastet kur guri përbënte materialin themelor në muret që ngriheshin. Gurët përdoreshin në rradhë të parë për ngritjen e kullave që ishin edhe objekte mbrojtse për familjet shqiptare të kësaj ane. Frëngjitë e kullave ishin dritare të vogla që i shërbenin jo vetëm hyrjes së dritës në mjediset banesore, por edhe mbrojtjes dhe komunikimit. Natën, si mjet komunikimi mes kullave përdorej drita. Kullat ishin vendosur në pozita të tilla që e mundësonin dhënien dhe marrjen e sinjaleve nga kullat e tjera.
Një vend të rëndësishëm në jetën e fshatit kanë pasur gjithmonë mullinjtë. Në një kohë kur e vetmja energji që i vinte në lëvizje gurët e rëndë të mullirit ishte uji, secila lagje e fshatit e kishte një mulli në lumin që i përshkonte ato. Mulliri e bënte fshatin të vetmjaftueshëm, sepse ia siguronte atij miellin. Tregu për Shkabën ishte mjaft larg, sidomos qytetet më të mëdha e më të vjetra si Prishtina e Mitrovica. Por edhe Skenderaji dhe Drenasi, që ishin qendra më të vogla tregtare, nuk ishin aq afër. Në fshat sigurohej çdo gjë që i duhej atij për jetë. Hekurudha Shkup-Mitrovicë-Beograd që u ndërtua më vonë solli një situatë të re në jëten e fshatit. Me lidhjen tjetër hekurudhore Fushë Kosovë-Pejë-Prizren, Shkaba u lidh praktkisht edhe me pjesën tjetër të Kosovës, në lindje dhe perëndim.

Në kapitullin e tretë autori fokusohet në etnokulturën e vendlindjes së tij. Këtu ai vendos në qendër të vëmendjes traditat e ndryshme të këtij mjedisi si larja e organizuar e rrobave te lumi, pritja e mysafirit, pastaj ritet e ndryshme të dasmave, fejesës dhe kanagjeqit si dhe ndryshimet e tyre në rrjedhën e kohës deri në ditët tona. Një vëmendje të madhe ai i kushton edhe ushqimeve dhe riteve të vjetra që lidhen me to. Festat pagane që dikur kishin rëndësi të madhe në jetën publike si festa e Shëngjergjit e lojëra të ndryshme popullore, sot janë zhdukur. Për to di sot kryesisht brezi i vjetër, sepse këto festa nuk janë të pranishme në sferën publike. Shëngjergji dikur ishte festë popullore. Ndoshta kjo festë lidhej edhe me kujtimim e Gjergj Kastriotin-Skënderbeut, sepse Shëngjergji nuk festohet kështu nga asnjë popull fqinj. Gjergj Kastrioti-Skenderbeu në një fjalim të tij në Republikën e Raguzës, e Dubrovnikut të sotëm i quan luftëtarët e tij bijë të shqiponjës, pra bijë të shkabës. Raguza, sipas një historiani gjerman, ishte një vendbanim i themeluar nga ilirët që ikën nga dyndjet e sllavëve nė mesjetën e hershme. Arbanët e Skenderbeut, shumë kohë pas vdekjes së tij, nisën ta quajnë veten shqiptarë. Një gazetar britanik i BBC që bisedoi me Fehmi Lladrovcin pati thënë më vonë se askush nga luftëtarët e UÇK-së nuk kishte ngjashmëri të madhe fizike me Gjergj Kastriotin-Skenderbeun si ky komandant. Shkaba është një fjalë tjetër për shqiponjën.

Në kapitullin e katërt autori merret me popullsinë, strukturën e saj. Si mjedis jetësor Shkaba (Gllanasella) ka qenë që herët i prekur nga fenomeni i migrimit. Shumë banorë të këtij fshati kanë lëvizur brenda Kosovës nëpër qytete, sidomos në ato më të afërta. Besoj se viteve të fundit jo pak prej këtyre banorëve janë zhvendosur në Drenas, por në vitet 1990 pati një emigrim të madh drejt shteteve perëndimore. Shtetet e Europës Perëndimore ishin në qendër, por pati edhe të tillë që nuk u ndalën në kontinent, por shkuan deri në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada. Njëri prej tyrd është John Daut Krasniqi, i cili me familjen e tij jeton në Nju Xhersi (New Jersey) të Amerikës.

Në kapitullin e pestë të librit flitet për arsimin dhe shëndetësinë. Ky kapitull jep të dhëna të hollësishme për Shkollën Shqipe. Shkolla e parë u hap në vitin 1926, por jo në Shkaba, po në Dobroshec. Kjo shkollë ku nxënës ishin edhe fëmijtë e shqiptarëve përreth u hap për kolonistët që u sollën në këto anë në vitet 1920. Tek në LDB, shkolla e ndryshoi gjuhën mësimore. Ajo u kthye në Shkollë Shqipe. Ministria e Arsimit në Tiranë me Ernest Koliqin në krye dërgoi mësuesë shqiptarë që e rrënjosën dashurinë për gjuhën shqipe te nxënësit. Besoj se një kontribut i kësaj shkolle është edhe mosbesimi fundamental i nxënësve ndaj ideologjisë politike të PKJ-së. Nga Shkaba nuk pati asnjë partizan vullnetar. Refuzimit nga përvoja jetësore ndaj ideve mashtruese të së majtës sllave iu shtua ndriçimi i mendjes se kjo ideologji jo vetëm që ishte një mjet mashtrues në dorën e komunistëve serbë dhe malazezë, por si tërësi ishte një shpjegim voluntarist i zhvillimeve në shoqërinë njerëzore. Shoqëria shqiptare e kohës s‘ishte aspak e interesuar për këtë interpretim, sepse kishte një kujtesë traumatizuese të pushtimeve dhe synonte bashkimin kombëtar. Ata e dinin dhe e ndjenin se shkolla e huaj i tjetërsonte fëmijët. Ajo ishte një mjet asimilimi dhe jo ndriçimi i mendjes së voglusheve e voglushve shqiptarë.

Shkolla fillore brenda fshatit u krijua tek në vitin 1999, pas çlirimit nga Serbia. Në vitin shkollor 2024/25 shkolla kishte 181 nxënës dhe një staf të rregullt mësimor. Pjesë e këtij kapitulli janë edhe katër portrete jetëshkrimore të mësuesëve të këtij fshati. Ata nuk punuan kurrë në shkollën e fshatit, por kujtohen përgjithmonë për kontributin e tyre arsimor dhe për luftën e tyre në rradhët e UÇK-së. Shkolla Shqipe dhe arsimtarët e saj, përgatiten ushtarë për luftën çlirimtare, e cila në këto anë kishte qenë realitet shoqëror edhe në një kohë kur nuk kishte shkollë në gjuhën shqipe. Liria kurrë në këto anë s‘është shikuar si një element shoqëror në mesin e të tjerëve, por si një kusht i domosdoshëm i ekzistencës.

Pas Luftës së fundit kundër Serbisë në fshat u ndërtua edhe ambulanca, e cila kujdeset për shëndetin e banorëve të këtushëm. Gjithë personeli i saj është vendas, gjë që flet për një arsimim të mirë të këtij mjedisi.

Në këtë kapitull, Osman Berisha flet edhe për një objekt publik të fshatit: xhaminë. Ajo u ndërtua pas luftës, më parë nuk kishte pasur objekt kulti islamik në këtë mjedis. Xhamia që u ndërtua me donacione nga jashtë, pas ndërtimit, iu dha në shërbim komunitetit musliman të rrethit, mirëpo imami i saj mbeti nga ky fshat. Duke qenë se fshati përbëhet nga shumë fise, disa prej tyre me të kaluar të afërt katolike, aty-këtu kemi dhe rikthim fetar te rrënjët. Nuk është për t‘u çuditur që të parët që u rikthyen te besimi i paraardhësve janë pikërisht ata që rrjedhin nga familje katolike që u islamizuan vonë. Megjithatë pas shfaqjes së organizatës „Rikthimi“ në Deçan gjendja ka ndryshuar me themel. Klima e re ka përfshirë gjithë fshatin, i cili gjithmonë ka luftuar për lirinë e tij. Siç dihet, besimi islam ishte normë publike gjatë pushtimit osman, kurse më vonë, ky besim, nga serbët, u përdorë kundër shqiptarëve, për denacionalizimin e tyre. E njëjta gjë po provohet sot në Maqedoninë e Veriut.

Tre kapitujt e fundit, dmth. kapitulli i gjashtë, i shtatë dhe i tetë, kanë të bëjnë me luftën çlirimtare, e cila në këtë mjedis ka rrënjë të thella historike. Në kapitullin e gjashtë kemi një vështrim të shkurtër të luftës çlirimtare kundër sundimit osman, serb dhe bullgar. Dikujt mund t‘i duket e çuditshëm fakti që kjo zonë dikur pati të bëjë edhe me bullgarët, por e vërteta është se bullgarët në shekullin XX ishin të pranishëm si administratorë dhe si forcë ushtarake edhe në Shkabë. Ata ishin të huaj për këtë mjedis dhe mbetën të tillë përgjithmonë me sjelljet e tyre të vrazhdëta. Këtij kapitulli autori i ka vënë titullin „Përherë në mbrojtje të trojeve shqiptare“. Këtu gjejmë mjaft të dhëna për Lëvizjen Kaçake dhe për luftën e Shaban Polluzhës dhe Mehmet Gradicës. Kaçakët ishin njësi të armatosura që e mbronin popullsinë shqiptare nga bandat çetnike, të cilat organizonin sulme të ndryshme ndaj popullsisë shqiptare. Ishte kohë e tmerrshme për banorët kjo periudhë. Azem Galica s‘ishte nga ky fshat, mirëpo veprimtaria e tij atdhetare reflektohej dhe njihej mirë në këtë vendbanim. Nga Shkaba ishin kaçakët: Lutë Laholli-Gllanasella dhe vëllezërit Asllan dhe Abaz Kurrumeli, të cilët ishin në krye të çetave që kishin formuar. Lutë Laholli-Gllanasella qe shumë i njohur në kohën e tij. Një portret i tij (fq.207-208) më duket shumë me vend, pasiqë ky luftëtar kishte lidhje me figura të mëdha historike si Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri, Haxhi Zeka, Lec Gradica etj. Kontaktet e tij me atdhetar shqiptarë shkonin përtej Drenicës, në Dukagjin, Shqipërinë e sotme, në Pollog etj. Këto fakte duhet të njihen nga brezi i ri.
Edhe heroi kombëtar Fehmi Lladrovci e vlerësonte shumë luftën dhe aktivitetin e tij. Çeta e tij kishte 60 luftëtarë. Kjo çetë binte në sy për organizimin e mirë, rregullim, disiplinën dhe moralin e lartë të saj. Lutë Laholli ishte njė prijs ushtarak që luftonte me një ushtri që ishte e aftë për luftë sipas rregullave moderne. Mendoj se autori që e ka trajtuar këtë figurë në njërin nga librat e tij duhet të përgatis një monografi të veçantë për të dhe çetën e tij, kurse institucionet e shtetit duhet të mendojnë për vlerësimin adekuat të tij dhe të luftëtarëve të tjerë të kësaj ane. Shteti ynë i ka themelet mbi luftën e tyre, kështu që detyrimet politike e morale ndaj këtyre luftëtarëve nuk janë të vogla. Natyrisht gjithçka duhet bërë hap pas hapi, por kurrësesi nuk duhet të harrohet kontributi i tyre. Në këtë zonë pati shumë luftëtarë, që janë të njohur si kaçakë. Lëvizja Kaçake është e njohur në përgjithësi, por jo në masën e duhur. Instituti i Historisë në Prishtinë duhet të bëjë projekte të veçanta studimore për këtë lëvizje e cila vepronte sipas udhëzimeve të Hasan Prishtinës. Mendoj se jo vetëm fshati ynë, por edhe mbarë Kosova e shqiptaria kanë një detyrim moral që të nderojnë veprimtarinë e tyre kombëtare,

Kujtimi për Aksionin e Mbledhjes së Armëve në vitin 1954/55 është pjesë e identitetit të këtij fshati, sepse UDB-ja shtroi në dajak shumë burra të këtij mjedisi. UDB-ja nuk i rrahte shqiptarët sipas ndonjë shtytjeje momenti, por sipas një strategjie të qartë. Ekzistojnë statistika që e çojnë numrin e të vdekurëve gjatë këtij ndëshkimi në 300 persona. Në tortura mund të jenë mbytur kaq shqiptarë, por shifra e errët duhet të jetë shumë më e lartë, sepse dihet që u rrahën dhe torturuan rëndë mijëra burra shqiptarë, të cilët vdiçën më vonë nga pasojat e këtij keqtrajtimi fizik. Aksioni i Mbledhjes së Armëve përbën një ngjarje të madhe traumatike për shoqerinë tonë. Shumë gjëra janë harruar, por jo ky aksion, çka do të thotë se trauma që ai shkaktoi në shoqërinë shqiptare ishte e gjerë dhe e thellë. Kushdo që ishte mes moshës 18 e 70 vjeç ishte praktikisht një kandidat për këtë trajtim barbar. Aksioni ishte një formë represioni për frikësimin dhe keqtrajtimin e gjithkujt. Terror psikologjik i vërtetë. Një shoqëri e tërë ishte në ethet e pritjes së të keqes së madhe. Nuk kërkohej ndonjë dyshim specifik personal, mjaftonte dyshimi i përgjithshëm paushall dhe përkatësia gjinore dhe kombëtare. Aleksandar Rankoviqi (Aleksandar Ranković) po zbatonte kështu programin e historianit serb Vasa Qubrilloviq (Vasa Ćubrilović), autorit të elaboratit „Shpërngulja e shqiptarëve“ (Iseljavanje arnauta). Në këtë kohë shumë shqiptarë ikën drejt Turqisë. Nuk është aspak i rastit takimi i ministrit të jashtëm jugosllav Koça Popoviq ( Koča Popović) me ministrin e jashtëm turk Mehmet Fuat Këpryly ( Mehmet Fuat Köprülü) në Shkup në vitin 1956. Në Jugosllavinë e re ishte rikthyer politika e Jugosllavisë së e krajlit në raport me shqiptarët, ndiqej e njëjta politikë, zbatoheshin të njëjtat metoda, në një kohë që Jugosllavia në botë trajtohej si vendi me zgjidhjen ideale të problemeve kombëtare.

Kapitulli i shtatë i kushtohet tërësisht Luftës së UÇK-së. Fehmi Lladrovci është këtu kryepersonazhi, i cili gëzonte një besim e respekt të madh të Adem Jasharit. Pas vrasjes së Femi e Xhevë Krasniqit-Lladrovci me 22 shtator 1998 brigada e tij 114 e mori emrin e tij. Osman Berisha vë në dukje faktin që Bataljoni I i kësaj brigade betimin e dha në lëndinën e Berishëve në Shkabë. Nga ky fshat në luftën çlirimtare u vranë 74 shqiptarë. Një monografi për dëshmorët e Shkabës mendoj se i mungon publikut lexues. Kapitulli mbyllet me fjalën e kryetarit të komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci që ai mbajti me 20 prill 2024, në përvjetorin e 25-të të dëshmorëve të fshatit Shkabë.

Në kapitullin e fundit, të tetin, janë përfshirë faksimile e fotografi të ndryshme që ilustrojnë zhvillimet nga viti 1945. Në këtë vit u dënua nga një gjykatë ushtarake në Prishtinë Hetem Nika. Një faksimil tjetër dëshmon për lirimin e tij nga Burgu i Nishit me 14.09.1952. Në këtë kapitull është edhe një faksimil tapie i vitit 1946 që tregon se Brahim Lutës si pronar i është konfiskuar një sipërfaqe toke prej 2,6 hektarësh, si familje reaksionare. Këtu gjejmë edhe faksimilin për urdhëresën e e Brigadës 114 „Fehmi Lladrovci“ për formimin e Bataljonit I dhe dhënjen e besimit me datën 25 tetor 1998, dmth. pak më shumë se një muaj pas rënies së komandantit Fehmi Lladrovci.
Seria e fotfografive fillon me një fotografi të Azem e Shotë Galicës, e pasuar nga një fotografi e Fehmi e Xhevë Llafmdrovcit dhe fotogradia e Adem Jasharit me të et Shabanin dhe vëllan Hanzë Jasharin dhe përfundon me disa fotografi nga lojërat popullore në faqen 351 të librit. Libri mbyllet me përfundimin e tij, me recensionin e Hamdi Thaçit, jetëshkrimin e autorit dhe burimet e literatura.

ARTIKUJ TË LIDHUR
- Advertisment -spot_img

U lexua shpesh

- Advertisment -spot_img