COPËZA RRËFIMESH NGA SFIDAT E VEPRIMTARISË SIME
Parathënie
Libri “Copëza rrëfimesh nga sfidat e veprimtarisë sime”, me nëntitullin “Kujtime të rrënjosura në heshtjen e trazuar”, paraqet një autobiografi të pjesshme të Xhevat Kabashit, figurë e njohur arsimore dhe shoqërore, i lindur dhe rritur në një familje me rrënjë të thella patriotike në fshatin Mushtisht, me origjinë nga Kabashi i Prizrenit.
Përmes këtyre rrëfimeve, autori sjell një panoramë të gjerë jetësore, që përfshin jo vetëm përvojat personale, por edhe historinë e familjes së tij – nga gjyshi Jemin Nurka-Mushtishti, babai Baki, nëna Emine dhe vëllezërit me të cilët ndau sfidat dhe përgjegjësitë e kohës.
Libri ndërthur kujtime personale dhe dëshmi historike, duke përfshirë ngjarje të vërteta nga Kabashi i Prizrenit, i cili për shekuj me radhë u dallua për rezistencë të pashoqe ndaj pushtimit osman dhe sundimit serb. Ky vend njihet si një vatër qëndrese dhe krenarie kombëtare.
Një nga figurat qendrore të kësaj rezistence ishte Rrustë Kabashi, i cili, së bashku me burrat e fshatit, ngriti pushkën kundër Perandorisë Osmane. Shumë luftëtarë u burgosën, u torturuan dhe një pjesë e tyre u dënuan rëndë. Rrustë Kabashi u dënua me vdekje – me varje. Sipas dëshmive, në momentin që ekzekutori po i vendoste litarin në fyt, ai reagoi me forcë, e goditi me shqelm ekzekutuesin dhe e la të vdekur. Ishte një akt mospërkuljeje dhe krenarie para pushtuesit shekullor.
Në këtë libër përkujtohet me nderim edhe dëshmori Ali Bytyçi, i cili, së bashku me bashkëshorten e tij, luftuan me guxim të jashtëzakonshëm kundër forcave serbe në mars të vitit 1999, në oborrin e shtëpisë së tyre. Pas pesë orësh qëndrese, ata ranë dëshmorë, duke mbetur përgjithmonë në kujtesën kombëtare.
Xhevat Kabashi, përveçse dëshmitar i kohës, është edhe protagonist aktiv i saj. Ai shquhej si mësues i përkushtuar, një nga më të mirët e rrethit. Por angazhimi i tij arsimor dhe kombëtar nuk shihej me sy të mirë nga pushteti serb. Një ditë, teksa mbante mësim, milicët hynë në klasë dhe e arrestuan para nxënësve – pa asnjë arsye përveç përkushtimit ndaj dijes dhe të drejtave kombëtare.
Arrestimi i tij i dytë ndodhi një mëngjes të hershëm, teksa korrte misër me vëllezërit. Ai u mor pa asnjë njoftim dhe për një muaj të tërë familja nuk kishte asnjë informacion për të, duke përjetuar ankthun e një kohe të errët.
Ky libër nuk është vetëm një rrëfim personal – është një dëshmi e një epoke, e sakrificës, qëndresës dhe krenarisë shqiptare. Është një thirrje për të mos harruar rrënjët dhe për të çmuar lirinë, e cila është paguar me shumë mund e gjak.
Përmes këtij libri, Xhevat Kabashi nuk flet vetëm për veten – ai i jep zë një historie të madhe dhe një brezi që nuk u përkul kurrë.
“Nuk kam dashur ta kujtoj kurrë dhe as t’i tregoj kujt”
Ky tregim trajton dhunën shtetërore, vuajtjet fizike dhe shpirtërore të të burgosurve politikë, si dhe pasojat psikologjike në familje, sidomos te fëmijët që përballen me trauma të pashpjegueshme për moshën e tyre.
Arrestimet dhe torturat nuk janë vetëm dëmtime trupore – janë një strategji për të thyer njeriun shpirtërisht.
Vizita e prindërve dhe djalit të vogël, që duhej të ishte moment lehtësimi, shndërrohet në kulmin e traumës. Sjellja brutale e gardianëve para syve të familjes e thellon dhimbjen.
Pas asaj vizite, autori dhe familja e tij nuk e përmendën më kurrë këtë ngjarje. Heshtja u bë formë mbrojtjeje emocionale dhe simbol i dhunës së kohës.
Ky rrëfim është një akt drejtësie për kujtesën – jo për të kërkuar hakmarrje, por për të ndriçuar të vërtetën.
“Rrëfimi për ilegalin që nuk e njihja”
Një tregim i fuqishëm që pasqyron realitetin e një kohe të errët, ku përballja me regjimin serb nënkuptonte rrezik, sakrificë dhe heroizëm të heshtur.
Në janar 1986, autori – aktivist i organizatave ilegale – merr urdhër të strehojë një të kërkuar nga sigurimi. Ilegali, me pseudonimin “Shahin”, qëndron disa kohë në shtëpinë e tij, edhe pse shtëpia ndodhej fare pranë stacionit të policisë.
Familja e tij e pranoi me besim të plotë. Babai, “axha Baki”, shfaqet si figura më e fuqishme morale në tregim.
Ky rrëfim dëshmon se historia nuk shkruhet vetëm nga emrat e mëdhenj, por nga njerëzit e zakonshëm që bëjnë sakrifica të jashtëzakonshme për ideale të mëdha.
Lidhja me kontekstin historik
Ngjarjet zhvillohen në një periudhë kur Kosova ishte nën kontroll të hekurt të aparatit jugosllav të sigurimit (UDB-së). Çdo veprim kombëtar konsiderohej krim. Organizatat ilegale vepronin në fshehtësi të thellë dhe çdo hap ishte rrezik.
Ky rrëfim, prandaj, nuk është vetëm autobiografi, por pjesë e historisë së rezistencës shqiptare.
Profesori Xhemajl Kolgeci, me respekt, vlerëson se libri meriton të lexohet dhe të ruhet si trashëgimi kulturore dhe historike.
RRËNJËT DHE RRUGËTIMI IM
Nga Xhevat Baki Kabashi
Unë jam Xhevat Baki Kabashi, i lindur më 10 qershor 1951 në fshatin Mushtisht të Therandës. Fshati im është vend i bukur, që e ruaj në kujtesë si një botë të vogël plot njerëz të mirë e punëtorë.
Babai im, Baki Jemin Abazi, dhe nëna ime, Emine Bytyqi-Abazi, ishin njerëz të thjeshtë, por me zemër të madhe. Familja jonë bujqësore jetonte nga puna në tokë dhe bagëtia – një ritëm jete që të mëson durimin, përulësinë dhe forcën për të ecur përpara.
Shkollën fillore dhe të mesme të ulët i kreva në Mushtisht. Më pas vazhdova shkollën e mesme në Therandë dhe Prizren, në Shkollën Normale “Dimitrie Tucoviq”, ku diplomova në vitin 1972.
Në të njëjtin vit, fillova punë si mësues dhe u martova me Sadijen, nga Grejkoci. Jemi prindër të gjashtë fëmijëve – tri vajza dhe tre djem. Njëri prej tyre, Shkëlzeni, fatkeqësisht nuk është më mes nesh.
Në vitin 1974 kreva shërbimin ushtarak në Slloveni për 15 muaj. Pas kthimit, punova në shkollën fillore të vendlindjes sime. Paralelisht filloi edhe angazhimi im politik, si shumë të rinj që nuk mund të rrinin të heshtur.
Pas demonstratave të vitit 1981 u arrestova “në emër të popullit”, por u lirova për mungesë provash. Në vitin 1986 u arrestova përsëri pas një bastisjeje të madhe. U mbajta disa muaj në burgun e Prizrenit dhe u lirova përsëri për mungesë provash. Si pasojë u përjashtova nga puna për katër vjet.
E çova çështjen në Gjykatën Ekonomike të Gjakovës, e cila vendosi në favor timin. Në vitin 1990 u ktheva në punë, por kushtet politike ishin gjithnjë e më të rënda. Ne ishim tashmë nën vëzhgimin e shërbimeve sekrete jugosllave.
Aksionet ilegale dhe represioni kulmuan në vitet 1991–1993. U mor vendimi që unë të kaloja në ilegalitet të plotë. Isha pjesë e OMLK-së, që më vonë u shndërrua në LPK.
Në qershor 1993 u detyrova të largohem nga Kosova dhe arrita në Zvicër, ku veprova pareshtur për çështjen kombëtare – organizim, ndërgjegjësim, mbështetje e luftës çlirimtare.
U zgjodha kryetar i këshillit rajonal për kantonet Schwyz dhe Uri, më pas sekretar i Nëndegës për Zvicër, dhe në fund kryetar i LPK-së për Zvicër.
Pas luftës punova në një qendër azili të Caritasit deri në pensionim.
Sot vazhdoj angazhimin me shkrime dhe veprimtari politike, sepse programi i LPK-së nuk është realizuar plotësisht. Pavarësia e Kosovës është arritje e madhe, por synimi ynë historik ka qenë dhe mbetet bashkimi kombëtar – përfshirë edhe Çamërinë.


